Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u përpoqën të tregojnë unitet gjatë një takimi në Paris të mërkurën, ndërsa Evropa përballet me sfidën për të folur me një zë të vetëm përballë kërcënimeve për tarifa nga presidenti amerikan Donald Trump.
Trump, i cili ka kërcënuar gjithashtu Kanadanë, Meksikën dhe Kinën me tarifa të larta, deklaroi të martën se Evropa ka teprica tregtare shqetësuese me Shtetet e Bashkuara dhe “do të përballet me tarifa”.
Përpara një dreke pune në Pallatin Elysee, si Macron ashtu edhe Scholz siguruan se Evropa është e fuqishme dhe bashkëpunimi mes Francës dhe Gjermanisë është i fortë, ndonëse të dy pranuan se do të ketë sfida.
“Presidenti Trump do të jetë një sfidë, kjo është tashmë e qartë,” tha Scholz. “Pozicioni ynë është i qartë: Evropa është një zonë e madhe ekonomike me rreth 450 milionë banorë. Jemi të fortë, jemi të bashkuar dhe Evropa nuk do të shmanget apo të fshihet.”
Macron, i cili ka kohë që kërkon më shumë pavarësi për Evropën, theksoi:
“Pas ardhjes në detyrë të një administrate të re në Shtetet e Bashkuara, është më e domosdoshme se kurrë që evropianët dhe vendet tona të luajnë rolin e tyre për të ndërtuar një Evropë të bashkuar, të fuqishme dhe sovrane.”
Të dy liderët përmendën sektorët e çelikut, automobilave dhe kimikateve si veçanërisht të rëndësishëm për ekonominë evropiane dhe si objektiva të mundshëm për tarifat amerikane.
Marrëdhënie të ndërlikuara me Trump
Disa ekspertë kanë vërejtur se gjatë mandatit të tij të parë, Trump shpesh ka bërë kërcënime publike për tarifa dhe masa të tjera për t’i përdorur si mjet negocimi, pa i zbatuar gjithmonë.
Megjithatë, të tjerë frikësohen se, me një mandat të fortë popullor dhe mbështetje më të madhe në Kongres, ai mund të jetë më i vendosur.
“Bashkimi Evropian ka qenë shumë, shumë i padrejtë ndaj nesh,” tha Trump për gazetarët të martën. “Ata do të përballen me tarifa. Kjo është mënyra e vetme ... për të siguruar drejtësi.”
Për shumë vende të BE-së, që kanë ekonomi të orientuara drejt eksportit, një përballje e re me SHBA-të nuk është e mirëpritur, sidomos duke pasur parasysh kostot më të larta të energjisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe ngadalësimin e tregtisë me Kinën.
“Kemi hyrë në një fazë të re negociatash me SHBA-në,” tha zëdhënësja e qeverisë franceze, Sophie Primas. “Marrëdhëniet me presidentin Trump janë transaksionale. Duhet të jemi po aq të vendosur sa SHBA-të dhe të tregojmë forcën tonë.”
Macron dhe Scholz, të cilët po përballen me dobësi politike në vendet e tyre, janë në një pozicion delikat. Macron humbi zgjedhjet e parakohshme vitin e kaluar dhe ka ndryshuar katër kryeministra brenda vitit 2024, ndërsa Scholz po humbet terren ndaj rivalit të tij konservator përpara zgjedhjeve gjermane muajin e ardhshëm.
Gjithashtu, tensionet mes dy liderëve kanë ndikuar në ngadalësimin e vendimmarrjes në BE, duke krijuar një boshllëk lidershipi që institucionet evropiane nuk kanë mundur ta plotësojnë.