Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkarkuar sekretaren e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem. Ajo do të zëvendësohet nga senatori i Oklahomës, Markwayne Mullin, duke filluar nga 31 marsi 2026. Lajmin e bëri të ditur vetë Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
“Sekretarja aktuale, Kristi Noem, e cila na ka shërbyer me përkushtim të madh dhe ka arritur rezultate të shumta e spektakolare (sidomos në kufi!), do të bëhet e Dërguar Speciale për ‘Mburojën e Amerikave’, nisma jonë e re për sigurinë në Hemisferën Perëndimore që do ta shpallim të shtunën në Doral, Florida. Falënderoj Kristin për shërbimin e saj në Sigurinë e Brendshme”, shkruan ai.
“Pas 10 vitesh në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së dhe 3 vitesh në Senat, Markwayne ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke përfaqësuar popullin e mrekullueshëm të Oklahomës, ku unë kam fituar të gjitha 77 qarqet nga 77: në vitet 2016, 2020 dhe 2024! Markwayne ka një marrëdhënie shumë të mirë me njerëzit dhe e njeh mençurinë dhe guximin e nevojshëm për të çuar përpara programin tonë America First. Duke qenë i vetmi amerikan vendas në Senat, Markwayne është një mbështetëse fantastik i komuniteteve tona të jashtëzakonshme fisnore. Markwayne do të punojë pa u lodhur për të mbajtur të sigurta kufijtë tanë, për të ndaluar kriminalitetin e lidhur me migracionin, vrasësit dhe kriminelët e tjerë që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, për t’i dhënë fund plagës së drogës ilegale dhe për ta bërë Amerikën sërish të sigurt. Markwayne do të jetë një sekretar spektakolar i Sigurisë Kombëtare”, përfundon Trump.
Pika që e mbushi kupën për Trump ishte seanca e ashpër dëgjimore e Noem të martën e kaluar përpara Komisionit të Drejtësisë së Senatit, e cila shkaktoi frustrim dypartiak ndaj mënyrës se si ajo drejtonte institucionin. Vendimi i Noem për të akorduar 200 milionë dollarë për një fushatë publicitare, në të cilën ajo vetë u bënte thirrje personave që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të vetë-dëboheshin, e kishte irrituar presidentin prej muajsh, pikërisht për shkak të stilit të saj vetëpromovues.
Një figurë e njohur për stilin e saj “mbi të zakonshmen”, Kristi Noem në muajt e parë të mandatit ishte fotografuar disa herë me kafaze pas shpine të mbushura me emigrantë që do të riatdhesoheshin, apo ndërsa merrte pjesë personalisht në operacione për kapjen e të huajve në mënyrë të parregullt. Ajo gjithashtu ishte mburrur se kishte vrarë me armë qenin e saj sepse ishte “i padisiplinuar”.
Në lidhje me ngjarjet e përgjakshme në Minneapolis, jo vetëm që kishte mbrojtur fort veprimet e agjencisë U.S. Immigration and Customs Enforcement (ICE), por kishte quajtur edhe René Good – aktivistin e vrarë nga një agjent me një plumb në kokë, një “terrorist të brendshëm”.
Kristi Noem është “viktima e dytë e rëndësishme” e larguar nga Donald Trump që nga fillimi i mandatit të tij të ri presidencial. Para saj ishte larguar nga administrata e Washington, D.C. miliarderi Elon Musk, i cili ishte vendosur në krye të Department of Government Efficiency (DOGE), organi i ngarkuar për të reduktuar në mënyrë drastike numrin e punonjësve në administratën publike./Corriere Della Sera
Komente









