Presidenti Donald Trump po shqyrton planet për të sulmuar objektet e kokainës dhe rrugët e trafikimit të drogës brenda Venezuelës, megjithëse tre zyrtarë amerikanë i thanë CNN, se ende nuk ka marrë një vendim nëse do të ecë përpara me to.
CNN shkruan se shenjat e jashtme të premten treguan një përshkallëzim të mundshëm ushtarak, me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth që urdhëroi grupin më të përparuar të sulmit të aeroplanmbajtësve të Marinës, i cili aktualisht është i stacionuar në Evropë, të dërgohej në rajonin e Karaibeve, mes një grumbullimi masiv të forcave amerikane atje.
Ndërsa sekretari i shtypit i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë të postuar në X se lëvizja e luftanijes ‘Gerald R. Ford’ dhe krahut ajror të lidhur me të kishte për qëllim "çmontimin e organizatave kriminale transnacionale dhe luftimin e narkoterrorizmit".
Luftanija Ford u ankorua pranë portit të Splitit, Kroaci, më 21 tetor. Kjo do ta linte transportuesin dhe anijet shoqëruese më shumë se 5,000 milje larg Karaibeve, që do të thotë se do të duheshin ditë që grupi të ishte në pozicion për të nisur ndonjë sulm.
Trump gjithashtu ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta në Venezuelë.
Presidenti nuk e ka përjashtuar mundësinë e një qasje diplomatike me Venezuelën për të ndaluar rrjedhën e drogës në SHBA, edhe pasi administrata ndërpreu bisedimet aktive me Presidentin Venezuelian Nicolas Maduro në javët e fundit.
Komente











