Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar për tre ditë vendosjen e tarifës doganore 50% ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze, e cila pritej të hynte në fuqi mëngjesin e kësaj të mërkure (19 gusht). Trump njoftoi në Truth Social se tarifat do të shtyhen deri më 21 gusht, duke argumentuar se SHBA-ja dhe Kanadaja janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje tregtare.
Sipas tij, negociatat kanë shënuar përparim të rëndësishëm. Tarifat doganre të propozuara do të preknin produkte me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, përfshirë produkte të qumështit, alkool, mobilje, pajisje industriale, plastikë, veshje dhe mallra të tjera të prodhuara në Kanada.
“Kam pezulluar tarifat doganore prej 50% kundër Kanadasë, të cilat ishin planifikuar të hynin në fuqi nesër në mëngjes, për një periudhë tre-ditore, bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në varësi të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje”, tha Trump.
Kryeministri kanadez Mark Carney konfirmoi shtyrjen, duke deklaruar se është bërë “përparim i konsiderueshëm”, por se mbetet ende punë për t’u bërë. Carney dhe Trump kanë zhvilluar biseda intensive gjatë ditëve të fundit në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen tregtare.
Një pikë tjetër e përmendur nga Trump ishte projekti i gazsjellësit Keystone XL, të cilin presidenti amerikan tha se “mund të zgjohet nga varri”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Tarifat do të kishin pasur një shtrirje të gjerë dhe do të përfshinin edhe produkte që zakonisht përfitojnë nga trajtimi preferencial sipas marrëveshjes tregtare SHBA–Meksikë–Kanada (USMCA).
Dhoma e Tregtisë e SHBA-së kishte paralajmëruar se tarifa të tilla do të dëmtonin të dyja ekonomitë, do të rrisnin kostot për konsumatorët amerikanë dhe do të trazonin zinxhirët e furnizimit.








Komente
Komento