Presidenti Bajram Begaj ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i SHBA, Donald Trump për përvjetorin e Pavarësisë. Përmes telegramit drejtuar Begajt, Trump krahas urimit për shqiptarët, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të ngushtë, që duhet ta forcojnë edhe më shumë.
Presidenti i SHBA kërkon bashkëpunim në stabilitetin rajonal, luftën kundër organizatave kriminale, por gjithashtu edhe zgjerim të mundësive dypalëshe për biznes dhe tregti.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj.Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, thuhet në mesashin e Trump.
Begaj e falenderoi presidentin e SHBA për urimin, ndërsa shtoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me aleatin e saj.
"Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit, SHBA, dhe faleminderit Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria ka qëndruar gjithmonë, dhe do të qëndrojë gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë!", ka shkruar presidenti Begaj.
Postimi i presidentit Begaj
Lajmi kryesor:
Politika uron 113 vite shtet, Rama: Gëzuar Pavarësinë! Trump-Begajt: Urime popullit shqiptar! Mesazhe edhe nga Kosova, BE e NATO












