Yuri Kim pritet të jetë ambasadorja e re e SHBA në Shqipëri.  Është ky propozimi I bërë nga presidenti Donald Trump, njoftim ky i bërë publik edhe në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Yuri Kim me origjinë aziatiko-amerikane është zyrtare e lartë e shërbimit të jashtëm amerikan, e cila ka punuar në poste kryesore dhe ka mbuluar rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe NATO-n.

Në Departamentin e Shtetit ajo ka drejtuar zyrën e Evropës Jugore. Më herët ajo ka qenë drejtoreshë për qendrën e studimeve për diplomaci në DASH, si dhe shefe e kabinetit e zv.sekretarit të shtetit.

Ajo ka shërbyer gjithashtu si asistente speciale e ndihmës sekretarit të shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Në këtë rol, ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut.

Gjithashtu Kim ka qenë Konsulle Politike në Ankara dhe në Bagdad dhe anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet që synojnë denuklearizimin të Koresë së Veriut.

Diplomatja Yuri Kim e propozuar nga presidenti Trump pritet të zërë vendin ambasadorit Donald Lu të larguar në maj të 2018-ës.