TIRANË- Policia e Tiranës ka gjobitur 13 protestues dhe ka vënë nën hetim 10 persona pas protestës së djeshme kundër qeverisë. Protestuesit bllokuan për rreth dy orë Rrugën e Durrësit, ndërsa gjatë marshimit pati përplasje me efektivët te rruga “Myslym Shyri”, ku iu vu flaka një koshi mbeturinash.
Protesta nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku një grup të rinjsh dhe protestuesish u mblodhën pasi njoftuan krijimin e një organizimi të ri studentor. Fillimisht, efektivët i zhvendosën protestuesit në të dyja anët e Rrugës së Durrësit dhe hapën rrugën për automjetet. Rreth orës 15:00, me shtimin e numrit të pjesëmarrësve, protestuesit e bllokuan plotësisht qarkullimin.
Pas rreth dy orësh pa incidente, protestuesit nisën marshimin përgjatë rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Kavajës. Te “Myslym Shyri”, policia kishte ngritur një kordon për të penguar marshimin e mëtejshëm. Aty pati përplasje dhe disa protestues i vunë flakën një koshi mbeturinash.
Më pas, një grup protestuesish u mblodhën para Kryeministrisë, ku qëndruan për disa orë përpara se të marshonin drejt sheshit “Skënderbej”.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Procedohen penalisht 10 shtetas për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të djeshëm.
Gjithashtu, vendosen 13 masa administrative në bazë të Aktit Normativ.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Policisë së Tiranës, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje, u proceduan penalisht 10 shtetas.
Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 13 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në to, si dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.











Komente
Komento