TIRANE - “Berisha ta shohë me teleskop votën tonë”. Është kjo deklarata e kreut të shoqatës së ish-të burgosurve politikë, Skënder Tufa dhënë gjatë një interviste në studion e televizionit A1 Report. I pyetur nga gazetarja, Mira Kazhani, se e kujt do të jetë vota e kësaj shtrese të shoqërisë, Tufa u shpreh se do të mbështesin Bamir Topin e Kreshnik Spahinë.

“Vota e ish të burgosurve politikë do të jetë për Partinë Demokratike si një yll i largët që mund ta shohë me teleskop. Ne nuk ja japim më votën. Do të mbështesim Bamir Topin dhe Aleancën KuqeZi.”, u përgjigj Skënder Tufa.

Ndërkaq, sa i përket Partisë Socialiste, Tufa u shpreh se ka një rinovim total të programit të saj në funksion të ish të burgosurve politikë, por sipas tij, duhet  të bëhen konkrete.

“Partia Socialiste ka një rinovim total në programin jo vetëm për ne por edhe për pronën. Kjo parti është baza e Partisë së Punës që të burgosurve politikë i ka shkaktuar shumë dhimbje. Duhet të shohim gjera konkrete prej saj që të ndryshojmë mendim.”, vijoi kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë.

Ish të burgosurit politikë, tashmë prej 10 ditësh janë në grevë urie kundër qeverisë e cila sipas tyre nuk ka përmbushur kërkesat e tyre dhe nuk i ka dëmshpërblyer për vuajtjet dhe vitet e burgut në regjimin komunist. Ata janë vendosur në ambient të hapur pranë Komunës së Parisit në Tiranë.

“21 vjet nga pafajësia, por na janë shkelur të drejtat, duke tjetërsuar ligjin.
Ligji e ndan dëmshpërblimin me 8 këste. Kemi të bëjmë me një diktaturë. Nuk kemi besim fare te kjo qeveri. Kërkojmë t’na dëmshpërblejnë sepse në ligj nuk ka një klauzolë që të na mbrojë”, shprehet Skënder Tufa.

Në lidhje me grevën e urisë, Tufa u shpreh se trajtimi ndaj tyre nuk ka qenë i duhuri. “Urgjencës i kemi kërkuar një ambulancë permanente ta kemi, por nuk na e kanë sjellë.”, tha Tufa në studion e A1 Report.

Ai shprehet se kanë gjetur mbështjetjen e Avokatit të Popullit, ambasadorit amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ambasadorit të Bashkimit Europian, Etore Sequi, si dhe të figurave të tjera politike.

“Ne na kanë mbështetur. Të gjithë janë deklaruar pro grevës. Sot ishte Avokati i Popullit, dhe nesër do të vij një përfaqësues i Avokatit për të marrë më të detajuara kërkesat tona. Të njëjtën gje e bëri edhe Arvizu e Sequi. I kemi kërkuar Arvizusë që të ndërhyjë te shteti për të bërë integrimin e kësaj shtrese”, tregon Tufa.

Në ditën e 10-të të grevës së urisë, ish të burgosurit politikë gjenden në vështirësi shëndetësore, ku gjatë ditës së sotme një tjetër grevist u detyrua të transportohej në spital për shkak të komplikacioneve shëndetësore, duke e çuar kështu në 3 numrin e ish të përndjekurve që ndodhen në spital.

Ish të burgosurit politikë janë vizituar fillimisht nga Aleksandër Arvizu, Etore Sequi, Kreshnik Spahia, Bamir Topi, Gazmend Oketa, Edi Rama, Pandeli Majko, e Avokati i Popullit Igli Totozani, ndërkohë që asnjë nga qeveria, drejt të cilëve drejtohen thirrjet e kësaj shtrese, nuk është gjendur pranë tyre, edhe pse shënohet dita e 10 e grevës së urisë.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)