Tullumani, tenori-piktor
ekspozon në Muzeun Kombëta

Tullumani, tenori-piktor <br />ekspozon në Muzeun Kombëta
Një ekspozitë që përmban rreth 60 punë, të gjitha në vaj, me teknika dhe dimensione të ndryshme kanë autor muzikantin e njohur Edmond Tullumani. Ekspozita titullohet “Motive Shqiptare” dhe do të qëndrojë e hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri më 10 qershor. Është gjë e rrallë që një muzikant i përkushtuar çdo ditë në koncerte, orkestër dhe projekte muzikore të pikturojë një numër kaq të madh veprash shprehëse dhe në teknika të ndryshme. Kjo nuk është ekspozita e parë piktorike e muzikantit. Një vit më parë, në tetor të 2011 ai pati një tjetër ekspozitë në hollin e Pallatit të Kongreseve që titullohej “Muzika në pikturë”. Ndërsa motivet që kanë shoqëruar ekspozitën e dytë të tenorit të njohur Tullumani kanë qenë temat e pavarësisë, në kuadrin e 100-vjetorit të saj. “Jam nisur nga fryma e pavarësisë dhe me këtë rast kam paraqitur disa cikle me tematikë shqiptare, si ai i portretit, kompozimit apo i natyrës së qetë, por unë jam mbështetur edhe në traditën dhe folklorin shqiptar”, thotë Tullumani për “Shqiptarja.com”, duke shtuar se kjo ekspozitë i është dedikuar 100-vjetorit të pavarësisë. Në 60 punimet piktorike të tij, artisti përcjell frymën shqiptare të ndarë në 4 cikle, portret, kompozim, natyrë e qetë dhe folklor. Krahinat e ndryshme të Shqipërisë, figura të shquara që çuan në pavarësinë e vendit, por edhe emancipimi shoqëror i gruas kanë ngacmuar ndjesitë e Tullumanit. Artisti thotë se organizmi i kësaj ekspozite i ka kushtuar një vit kohë. Në themel të saj ka qenë ideja e Pavarësisë. Në ciklet e portreteve dallohen disa nga patriotët e njohur shqiptarë dhe ata që formuan pavarësinë, si Isa Boletini, Ismail Qemali, etj. Por me ngjyra shumë më të ngrohta Tullumani ka sjellë gjininë e peizazhit, ku duket qartë frymëzimi nga natyra e bukur shqiptare. Për të cikli më i fuqishëm është folklori. Pas çdo pikture, thotë ai, fshihet një ngjarje ose një personazh. Disa prej tyre sapo i ka hedhur në telajo në studio i ka titulluar, Baca i Malësisë, Kulla, Lahutari, ku tek ky i fundit shquhet që është punuar me dashuri kostumi i Veriut me shirita bardhë e zi. Në motivet shqiptare të kësaj ekspozite zë vend edhe Shqipëria e Mesme me traditat e sofrës së Tiranës dhe “vallet sharmante”, sicc thotë Tullumani. Por ai nuk ka lënë pas dore as Jugun e Shqipërisë, ku shquhet një pikturë e hijshme e një labi që mban iso. “E kam pasur idenë e kësaj ekspozite me motive shqiptare shumë kohë më parë, sepse mendoj që motivi shqiptar është një vlerë e madhe dhe impresionuese nga ana figurative”, thotë Edmond Tullumani, duke shtuar se “edhe folklori vet është gjëja më e bukur që kemi ne shqiptarët”. Krahina të ndryshme të Shqipërisë, temat kombëtare, por edhe emancipimi i gruas kanë ngacmuar ndjesitë e muzikantit piktor. “Kam përdorur bardhë e zinë, që është shumë e pëlqyeshme për mua, por edhe shumë ngjyra të forta. Për sa i përket koloritit ta traditave i kam të gjitha krahinat shqiptare në këtë traditë”, thotë Tullumani. Pas mbylljes së saj në datën 10 qershor në Muzeun Kombëtar, kjo ekspozitë do të udhëtoj në trevat shqipfolëse, Kosovë e Maqedoni.

Tullumani: të kthesh pikturën në muzikë e anasjelltas
Edmond Tullumani ka mbaruar studimet për kanto dhe ka qenë tenor në Opera. Megjithatë ai zotëron edhe talentin në pikturë. Pa iu larguar muzikës, ai preferon t’i kushtojë jo pak kohës punës në studio. “Piktura është profesion më i vjetër se muzika dhe mund të themi se i ka paraprirë asaj”, thotë artisti, kur e pyet se nga buron ky pasion i dytë i tij. “Nuk bëj krahasime se kush është më e bukur dhe cila ka më shumë vlerë muzika apo piktura. Por, si kohë muzika e ndjek hap pas hapi pikturën. Shumë kompozitorë të famshëm janë frymëzuar nga pikturat”, thotë ai. Pra, Tullumani është një nga ata artistë që gjatë karrierës së tij përpiqet të jetë një tenor dhe një piktor shumë i mirë. Ai vetë nuk mendon se është profesionist i madh në pikturë, por vihet re që zotëron shumë sekrete të saj, si shkrirjen e ngjyrave në telajo, aftësinë për të kompozuar dhe për të dhënë emocione. E zotëron mirë teknikën e vajit “sepse vaji për mua i jep ngjyrat më të bukura më të theksuara. Në ekspozitën time të parë unë vura siglën “Notat janë penelatat e tingujt janë ngjyrat”, thotë ai. Tullumani është i pasionuar pas portreteve dhe peizazheve. Është një përfshirje shumë e madhe edhe për një piktor profesionist që merret me dy zhanre të rëndësishme. Por tenori Tullumani mund ta bëj shumë mirë këtë punë, ndërsa pikturon duke ëndërruar muzikë. “Kur pikturoj Puçinin më vinë ndërmend ariet e Puçinit. Kur pikturoj pianon e violinën kam parasysh tingujt e tyre. Kur pikturoj natyrën ndjek muzikën e gjetheve, fëshfërimave, dukurive të tjera. Pa kuptuar, tek unë vjen si një lidhje e pandarë muzika me pikturën.”, thotë ai.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut