Radhë kilometrike automjetesh janë krijuar mesditën e kësaj të marte në autostradën Tiranë-Elbasan, pasi qarkullimi është paralizuar nga bllokimi i rrugës pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit për shkak të zhvillimit të Turit Çiklistik të Shqipërisë 2026.

Dhjetëra drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar në trafik për minuta të tëra, ndërsa në zonë u krijuan kolona të gjata automjetesh. Të martën u zhvillua  etapa e dytë e Turit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë, në itinerarin Lezhë–Vorë–Golem–Rrogozhinë me finish në Elbasan.

Sipas organizatorëve, bllokimi i qarkullimit ka nisur prej orës 12:00 për të garantuar zhvillimin e aktivitetit sportiv, ku marrin pjesë 20 skuadra elitare nga Shqipëria, Ballkani dhe Europa.

Turi Çiklistik i Shqipërisë zhvillohet nga data 18 deri më 22 maj 2026.