Turistët ndotin, të rinjtë e Ecovolis
pastrojnë vullnetarisht detin e jugut

Turistët ndotin, të rinjtë e Ecovolis<br />pastrojnë vullnetarisht detin e jugut
Me “në njërën dorë kafen dhe në tjetrën celularin”, rinia jonë lë pak hapësirë për të shpresuar ditë më të mira. Angazhimi i përbashkët nuk duket ta tërheqë aspak këtë shtresë të shoqërisë, e cila, është dhe projektimi në të sotmen i të ardhmes së këtij vendi. Nga ana tjetër, ajo pjesë e të rinjve që angazhohen, duken më të interesuar për një “rregullim” të tyrin, personal, sesa për një kontribut të mirëfilltë. 

Dhe janë kaq të shumtë apatikët ose “interesaxhinjtë”, sa që angazhimi në përmirësimin e jetës jashtë pragut të shtëpisë duket se është kthyer qëllimisht në demode, në një shoqëri ku moda zotëron në çdo aspekt.
 
Pikërisht kjo është arsyeja përse filizat e shpresës duhen ushqyer për të rigjallëruar frymëzimin dhe për të zgjuar motivimin e fjetur rinor.

Ditët e para të shtatorit, dhe ndërkohë që tek Folie Marine, moshatarë të tyre “lageshin me shampanjë” dhe postonin selfie, 200 të rinj, aktivistë të grupimit Ecovolis u bashkuan në Jal Camping, ku u organizua “Blue School”, Akademia e Aktivistëve, për të gjetur mbështetje, frymëzim dhe shpresë tek energjia e njëri-tjetrit.
 
Larg botës së kafes dhe celularit, me në njërën dorë qesen dhe në tjetrën dorezën, ata iu turrën plazheve të tejndotura nga një sezon turistik, përndryshe, i vakët.
 
Vetëm gjatë një aksioni disa orësh, ata mblodhën rreth 2 ton mbeturina në gjirin e Gjipesë, po aq tek plazhet e mrekullueshme të Akuariumit dhe Pasqyrave, si dhe rreth 1 ton mbeturina nën ujë.

Atje ku dikur qëndronin krenarë korale dhe amfora, tashmë ndryshkeshin kovat e shampanjës së Folisë, kanoçe birrash, qese, shapka dhe shishe plastike.

U deshën vetëm dy zhytës, të drejtuar nga zhytësi dhe aktivisti Ened Mato, për t’i kthyer thellësive, të paktën pastërtinë, meqë amforat e koralet ndodhen tashmë nëpër bufé shtëpish evropiane.

Me mjete shumë të kufizuara por dëshirë dhe frymëzim larg chat-it dhe tendencave, këta 200 aktivistë ia dolën t’i kthejnë natyrës prodhimin e saj të virgjër. Megjithatë, gjendja mbetet ende kritike dhe askush nga të rinjtë që mpihen kafeneve dhe klubeve, apo në pritje të një posti kundrejt një përkushtimi të verbër politikbërjes sonë të kalbur, nuk e ka kuptuar se këta të rinj démodé, janë të tillë se kërkojnë një fitim shumë më të madh se një rrogë e mirë, një zyrë, një status, një selfie...
 
Ata kërkojnë një Shqipëri të pastër, të mirëorganizuar, të shëndetshme dhe mikpritëse. E ndërkohë që të njëjtët e tyre e kërkojnë këtë me statuse facebook-u, 200 aktivistët dolën në terren dhe bënë punën e shumë institucioneve bashkë (ku me siguri kanë gjetur punë bashkëmoshatarët e tyre të angazhuar politikisht. 

Një shembull për t’u ndjekur; dhe ku i dihet. Nëse do i japim gjesteve të tilla më shumë hapësirë se sa Kim Kardashianeve apo Noizëve dhe Stresëve, do të kthehen edhe ato në tendencë, ose ne trend, siç i themi tashmë... A thua të jemi gati tashmë për një Shqipëri të tillë?

Ndryshimi, që të gjithë, pa përjashtim kërkojmë, nuk do të vijë nga këlthitje nevrastenike fejsbukjane apo përjetësim të praktikave individualiste që na kanë groposur këto 25 vite, por, siç thoshte dhe e shenjtëruara, tashmë, Nenë Tereza, nga vepra të vogla të bëra me dashuri të madhe.

ecovolis

ecovolis

ecovolis

ecovolis

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!