Turistët italianë kanë patur një dyndje drejt Shqipërisë gjatë kësaj vere duke bërë që të renditen në vend të katërt në listën e vendeve që kanë vizituar Shqipërinë. Kjo ka bërë që edhe tur-operatorët italian të vijnë në Shqipëri. Sipas ministrisë së Turizmit, 60 tur-operatorë të rajonit të Pulias kanë ardhur në Shqipëri për të parë më nga afër mundësitë e bashkëpunimit.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi u shpreh se turizmi blu është një mundësi e mirë komunikimi mes dy vendeve. Iniciativa synon promovimin e Shqipërisë turistike dhe mundësi më të madhe komunikimi me tur operatorë vendas.
Në takimin, ministri Klosi theksoi se janë të gjitha mundësitë që të disafishohet numri i turistëve duke hapur tregun shqiptar për shumë më tepër vizitorë italianë.
Numri i shtetasve italianë që kanë vizituar Shqipërinë, nga Janar- Gusht 2019, vihet re një rritje prej 7. 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ministri Klosi theksoi se janë të gjithë mundësitë që Shqipëria të jetë një destinacion me të gjitha parametrat për turistët italianë. Një prej tyre turizmi blu që duhet të jetë një tjetër mënyrë komunikimi midis Shqipërisë dhe Italisë . “Shqipëria do të jetë shumë më tepër aktive në ofrimin e mundësive të bregdetit të saj për turizmin e marinës”- tha ministri.
Nënkryetari i shoqatës italiane të udhëtimit, dhe presidenti i Fiave Puglia, Piero Innocenti u shpreh se numri i shtuar i turistëve italianë drejt Shqipërinë gjatë katër viteve të fundit ka nxitur iniciativën për të bashkëpunuar më shumë midis dy vendeve, ku pjesa më e madhe e këtyre turistëve kanë hyrë nëpërmjet Puglias, si “porta kryesore” për në Tiranë dhe vendet rreth saj.
Fjala e plotë e ministrit Klosi:
Ajo që doja të thoja sot është një dëshirë e madhe që kemi ne përfaqësuesit e institucioneve shtetërore në fushën e turizmit, padyshim edhe bashkia e Tiranës është prezent por edhe agjencitë e menaxhimit të turizmit në Shqipëri duam që të vendosim sa më shumë kontakte me ju që jeni njerëzit që punoni cdo ditë në sektorin e turizmit dhe nëpërmjet jush me miliona klikime italianësh që duan të vizitojnë Shqipërinë.
Pra ajo qe duam ne të realizojmë është një hapje e tregut shqiptar për shumë më tepër vizitorë italianë . Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan rreth 6 milionë turistë të huaj dhe këtë vit ne presim që ky numër të shkojë 6.5 milionë turistë të huaj. Në radhën e vendeve që ofrojnë këto pasaporta janë 65 shtete të ndryshme por fatkeqësisht Italia vazhdon të jetë e katërta kur për mendimin tim duhet të ishin në vend të parë pasi ne I kemi të gjitha mundësitë për t’i ofruar turizmit Italian një hapësirë shumë më të gjerë për të vizituar Shqipërinë. I kemi të gjitha mundësitë që sidomos me zonën e Pulias dhe zonat përreth të kemi shumë më tepër komunikim kjo falë edhe anijes së vendosur prej vitesh por edhe shumë mjeteve të tjera të komunikimit që ekzistojnë sot qoftë ne tokë, qoftë në ajër. Por ajo që doja të ndaja me ju sot është e gjithë kërkesa jonë jo vetëm për të paraqitur Shqipërinë turistike por natyrisht për të krijuar një hapësirë krejt tjetër komunikimi ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë dhe kjo nëpërmjet turizmit blu. Shqipëria do të jetë shumë më tepër aktive në ofrimin e mundësive të bregdetit të saj për turizmin e marinës për të pasur mundëisnë që kaq afër sa jemi, pse jo Shqipëria të mos jetë e vizituar nga barkat dhe nga turistët që vijnë nëpërmjet detit. Ndaj do të doja shumë që në ditët që qëndroni në Shqipëri të takoni shumë më tepër operatorë shqiptarë që ofrojnë këtë biznes. Duke ju falenderuar që jeni këtu, ju garantoj që në Shqipëri do të gjeni të gjithë mikpritjen e nevojshme dhe njerëz që do donin të kishin më shumë të krijonin me komunitetin tuaj një lidhje të qëndrueshme për ta disafishuar numrin e vizitorëve italianë në vendin tonë. janë të gjithë mundësitë Shqipëria të jetë një destinacion me të gjitha parametrat për turistët italianë.