Pas më shumë se 12 orësh operacion kërkim-shpëtimi, turisti çek që kishte mbetur i bllokuar në Malin e Çikës, në Vlorë është gjetur dhe shpëtuar shëndosh e mirë. 43-vjeçari ishte izoluar për 24 orë në një zonë të thepisur, ku nuk mund të lëvizte, ndërsa nxjerrja e tij nga toka rezultoi e pamundur.

Ngjarja u bë e ditur një ditë më parë, kur u raportua se turisti kishte mbetur i bllokuar gjatë eksplorimit të Malit të Çikës. Menjëherë pas sinjalizimit, në terren u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, Stacionit të Policisë Dhërmi, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, strukturat e Emergjencave Civile, Njësia Alpine dhe Ministria e Mbrojtjes.

Sipas Policisë, gjatë operacionit ekipet arritën fillimisht të lokalizonin vendndodhjen e turistit dhe më pas të shkonin pranë tij. Megjithatë, për shkak të terrenit shumë të vështirë, transportimi me mjete tokësore ishte i pamundur.

Mali i Çikës, me lartësi 2,044 metra, është një nga zonat më të vështira malore të jugut dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Llogorasë.

Për këtë arsye u kërkua ndërhyrja e helikopterit të Forcave të Armatosura, i cili bëri të mundur nxjerrjen e 43-vjeçarit nga mali dhe transportimin e tij në qytet.

Turistit iu dha ndihma e parë dhe, sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas shpëtimit, ai falënderoi të gjitha strukturat që morën pjesë në operacion për ndihmën dhe profesionalizmin e treguar.

Policia njofton se operacioni u mbyll me sukses, ndërsa kujton se në çdo rast emergjence qytetarët dhe turistët mund të kërkojnë ndihmë duke telefonuar në numrin pa pagesë 112.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit 

"Përfundon me sukses pas 12 orësh operacioni shumë të vështirë i kërkim-shpëtimit për turistin çek që kishte mbetur i bllokuar në Malin e Çikës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FKS), Njësia Fier, strukturat e Emergjencave Civile, Njësinë Alpine dhe Ministrinë e Mbrojtjes, përfunduan me sukses një operacion shumë të vështirë kërkim-shpëtimi për një turist çek, që kishte mbetur i bllokuar në një zonë të thepisur dhe shumë të vështirë të Malit të Çikës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua operacioni i kërkim-shpëtimit.

Përgjatë 12 orëve, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, arriti të lokalizojë vendndodhjen e turistit dhe të bashkohej me të.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe pamundësisë së tërheqjes me mjete tokësore, u kërkua ndërhyrja e helikopterit të Forcave të Armatosura, i cili bëri të mundur nxjerrjen e turistit nga zona dhe transportimin e tij në qytet.

Turistit 43-vjeçar iu dha ndihma e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas shpëtimit, turisti falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara për ndihmën dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo rast emergjence, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.

Për çdo rast nevoje për ndihmë, qytetarët dhe turistët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112"