Turizmi,Shqipëria ndër 15 vendet
më të përmirësuara

Shqipëria është 1 ndër 15 vendet më të përmirësuara në Indeksin e Konkurrueshmërisë për Udhëtim dhe Turizëm në vitin 2017.

Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror konstaton se disa ekonomi në zhvillim, ku bën pjesë edhe vendi ynë, kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatet e tyre të performancës, nga viti 2015.

Sipas raportit kjo do të thotë se këto vende po sigurojnë kushte më të mira për të tërhequr dhe mirëpritur turistë, të cilët do të udhëtojnë për herë të parë në dekadën e ardhshme.

Referuar renditjes të 136 vendeve, Shqipëria zë vendin e 98-të në këtë indeks, ndërkohë që ajo lihet pas nga Maqedonia, që zë vendin e 89-të. Sipas të njëjtit vlerësim, në krahasim me vendet e rajonit, vendi ynë le pas Bosnjën dhe Hercegovinën, që listohet e 113-a.

Ndërkaq, sipas raportit më të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, Shqipëria u rendit në vendin e 96-të për nga ndikimi absolut i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto, nga vend i 120-të që ishte në vitin 2015.

Sipas vlerësimit, ku u përfshinë 185 shtete, Shqipëria në vitin 2016 renditet, në vendin e 26-të për nga ndikimi relativ ndaj PBB-së, në vendin e 61-të për nga parashikimi i rritjes për vitin 2017 dhe në vendin e 26-të për periudhën afatmesme.

Të dhënat treguan se kontributi direkt i turizmit shqiptar ndaj PBB-së u llogarit në afërsisht një miliard dollarë, ndërsa pritet që gjatë 2017-ës, kjo shifër të rritet me rreth 5.2%.

Ndërkohë që, sipas parashikimeve, në vitin 2027 ky tregues do të arrijë në 11%. Sa i takon pozicionimit, me vendet e rajonit, raporti i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, vëren se kontributi i industrisë së udhëtimit dhe turizmit ndaj PBB-së e rendit Shqipërinë në vendin e 105-të, duke lënë pas Malin e Zi dhe Bosnjë – Hercegovinën.
 
Çmimet

Edhe pse numri i të huajve që po vizitojnë Shqipërinë për qëllime turizmi është rritur fort vitin e fundit, hotelet dhe restorantet shqiptare kanë mbajtur çmime të njëjta si një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, ndryshimi vjetor i çmimeve të hoteleve mbeti zero në muajt qershor dhe korrik, kur vendi u përball edhe me një numër më të lartë vizitorësh.

Sipas INSTAT çmimet e kanë mbetur të njëjta si një vit më parë edhe për kafenetë, resorantet dhe shërbimet e kateringut. Rritja e fundit e çmimeve për këto shërbime sipas të dhënave të INSTAT është ezauruar në fillim të vitit që shkoi, si reflektim i kostos që solli ndryshimi i disa tarifave vendore në bashkitë kryesore të vendit.

Vetë operatorët hotelierë në zonat më fluksin më të lartë turistik pohojnë se, në vend që të rrisin çmimet, kanë zgjedhur që të zgjerojnë kapacitetet akomoduese. Mbi 10 hotele më të mëdha në Durrës thanë se kanë rritur kapacitetet e akomodimit nga 50-100 % në përgjigje të kërkesës në rritje nga operatorët çekë dhe polakë.
 
Fluksi

Të huajt që kanë vizituar Shqipërinë në gjashtëmujorin e parë të 2017, për qëllime pushimi, janë dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar këtë vit ishte 561 mijë, nga 229 mijë vitin e kaluar me një rritje 144% krahasuar me janar-qershor 2016, raportoi INSTAT.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)