STAMBOLL - Dëshmi të tmerrshme. Që kanë të bëjnë me rrëfime të grave të reja të arrestuara në vijim të përleshjeve në parkun Gezi, të cilat kanë pasur dhunë seksuale nga policia. “Durimi ka një limit”, ka thënë Erdogan, duke iu referuar manifestuesve, që kanë hyrë në xhami me shishe birre dhe pa hequr këpucët.

Po. Durimi ka një limit. Tani versionin online i gazetës turke Hurriyet sjell dëshminë e Erkan Yolalan, student turk, i cili tregon:

«Në orën 9 të mbrëmjes isha në Besiktash. Nuk po bëja asgjë, nuk po hidhja slogane, nuk po hidhja gurë. Sapo më panë më ndaluan. Dhe përfundova në ferr. Çdo polic i pranishëm nisi të më merrte me shqelma dhe grushta. Për 150 metra, deri tek autobusi i policisë, të gjithë më kanë rrahur, mallkuar, fyer. Nuk mbaronin».

«Brenda furgonit – vijon ai – dritat ishin të fikura. Dëgjova zërin e një vajze, që bërtiste: “Nuk kam bërë asgjë zotëri. Por ata e ngacminin dhe ajo dukej sikur po mbytej.  Më pas një agjent policie i veshur civil i tha saktësisht këtë:  “Do të të ul përtokë dhe do të të përdhunoj tani”. Përgjigja e vajzës, me një fije zëri, na drithëroi zemrën: “Po, zotëri”.

SHPAGIM DHE FRIKË

Teksa policia po futej në sheshin “Taksim” për të “pastruar sheshin”, dëshmitë e manifestuesve, që të kujtojnë Kilin, Argjentinën, Gjenovën dhe G8, shpërthejnë mbi rrjetet sociale.

Sipas Yolalan: «Pastaj na shtrënguan që bashkë me të arrestuar të tjerë të thërrasim: "E dua policinë! E dua vendin tim!” Na bërtisnin: “më fort, më fort!’”, na rrihnin, na fyenin». «Pastaj erdhi një tjetër i ri. Mustafa, i Universitetit të Bosforit. E sulmuan njëzet agjentë. Nuk qëndronte dot në kmëbë. Në autobus e goditën sërish në kokë me një kaskë. Nuk mjaftoi me kaq. I përplasën kokën me një dritare. Po humbte gjak nga koka. Ishte i prangosur. Por vijuan ta godisnin». Në fund u dërguan në komisariat, ku i prisnin avokatët e dërguar nga manifestuesit e tjerë.

Artikulli është hedhur në Twitter dhe është shenjuar edhe nga Amnesty International. Ekziston frika se ka shumë më shumë raste abuzimesh dhe torturash, të cilat manifestuesit nuk i denoncojnë nga frika e hakmarrjes nga ana e policisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)