ANKARA - Shqipëria është aleati strategjik i Turqisë në Ballkan. Kështu u shpreh sot Kryeministrit turk Erdogan gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij shqiptar Sali Berisha. “Kur kam vizituar Shqipërinë kam ndjerë emocione të forta”, tha Erdogan që vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai theksoi se sot u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes Akademisë diplomatike të Turqisë dhe asaj të Shqipërisë. Ndërsa marrëveshja tjetër e nënshkruar është ajo mes arkivave të ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve.

Erdogan vlerësoi se shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arrin në 400 milionë dollarë. Shumë investitorë turq vazhdojnë investimet në Shqipëri, tha ai, duke shtuar se “synojmë që investimet të kalojnë masën e 1 miliard dollarëve”.

“Marrëdhëniet në fushën e turizmit shpresojmë të zhvillohen edhe më tej”, uroi Kryeministri turk, i cili shpjegoi se “vendi i Shqipërisë në Ballkan është shumë i veçantë. Bëmë një përpjekje shumë të sinqertë për pranimin e Shqipërisë në NATO”.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha tha se “kam ardhur këtu në një vizitë që koinçidon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky është një rast i shkëlqyer për mua, të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100-vjeçare që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar”. Më pas ai e ftoi Kryeministrin Erdogan të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si “vëllazërore”, në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasi siç shpjegoi ai, “kemi lidhje gjaku”.

Kryeministri Berisha, i cili nisi sot një vizitë zyrtare në Turqi, zhvilloi në Ankara edhe një takim me Presidentin Abdullah Gül gjatë të cilit së bashku pohuan se të dy vendet e kombet janë dhe mbeten miq të vërtetë.

Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Gül mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme ndaj Shqipërisë, për mbështetjen për anëtarësimin në NATO, si dhe për mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe i jep Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj, thuhet në një njoftim për shtyp të Kryeministrisë.

Presidenti Gül e siguroi Kryeministrin Berisha se Turqia do vijojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha fushat dhe se si president i vendit mik do të vijojë të nxisë investitorët turq për të investuar në Shqipëri. Në veçanti, sektori i turizmit u vlerësua si një ndër sektorët, ku investimet turke mund të shënojnë histori të vërtetë suksesi për ta dhe për Shqipërinë, shtoi i njëjti burim.

Më pas Kryeministri zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë Cemil Çiçek, të cilit Berisha i shprehu mirënjohjen për kontributin e madh të parlamentit turk në mbështetje të Shqipërisë dhe të konsolidimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve e kombeve.

Në takim i rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t’i promovuar edhe më tej lidhjet e pafundme mes të dy popujve e vendeve dhe për ta çuar në një stad të ri edhe me intensiv bashkëpunimin në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, u vlerësua rritja madhe e investimeve turke në Shqipëri, gjatë 5 viteve të fundit dhe u rikonfirmua vullneti për t’i nxitur edhe më tej ato.

(im/shqiptarja.com)