Media turke njoftojnë se është arrestuar autori i masakrës me 39 të vdekur në klubin e natës "Reina", në Stamboll. 

Siç raportojnë mediat, i prangosuri është Abdylkadir Masharipov nga Uzbekistani. 

Mbrëmjen e vitit të ri, më 31 dhjetor, ai hyri me një armë kallashnikov në clubin e famshëm të Stambollit, "Reina" duke lënë të vdekur 39 persona. 

Viktimat ishin kryesisht turistë të huaj nga Izraeli, Franca, Tunizia, Libani, India, Jordania dhe Arabia Saudite. Ndërkohë brenda lokalit të natës ku ndodhi sulmi u plagosën edhe dhjetëra persona të tjerë.

Sipas autoriteteve turke, arrestimi i Abdylkadir Masharipov, është bërë në rrethin e Esenyurt në Stamboll.
 
Gjithashtu policia ka bërë të mundur të zbulojë se Masharipov, kishte mbërritur në lokalin e natës duke përdorur një taksi, në bagazhin  e të cilës kishte vendosur edhe armën që përdori gjatë sulmit.
 
Ndërkohë pak kohë pas kryerjes së sulmit, i ashtuquajturi Shteti Islamik, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin duke deklaruar se sulmi ishte në formë hakmarrjeje për përfshirjen e Turqisë në luftën e Sirisë.

Turqi
(Autori i masakrës në clubin "Reina",  Abdylkadir Masharipov)


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com