ANKARA, 4 korrik /ATSH-ANSA/ - Tre parti opozitare turke miratuan Ekmeledin Ihsanoglu për zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të zhvillohen më 10 gusht. Partia Demokratike e Majtë (DSP), Partia Demokratike (PD) dhe partia "Turqia e pavarur" (BTP) u bashkuan me Partinë Popullore Republikane (CHP) dhe Partinë e Lëvizjes Kombëtare (MHP) për miratimin e akademikut dhe diplomatit Ihsanoglu. Ihsanoglu, i cili dha dorëheqjen në dhjetor si sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, tashmë është përcaktuar si
kandidat nga dy partitë kryesore opozitare, CHP dhe MHP më 16 qershor. Qytetarët turq do të votojnë më 10 gusht për presidentin e 12-të të Republikës së Turqisë. Kjo shënon herën e parë që presidenti i Turqisë do të zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë nga populli. Një kandidat ka nevojë për më shumë se 50 për qind të votave nga populli për t'u zgjedhur në raundin e parë. Nëse asnjë nga tre kandidatët nuk merr përqindjen e kërkuar, atëhere do të kemi një raund të dytë më 24 gusht, që do të zhvillohet mes dy kandidatëve të cilët do të kenë më shumë vota./ /l.q/ a.jor.