Turqi, policia gaz lotsjellës dhe
ujë për të shpërndarë protestuesit

 STAMBOLL-  Protestuesit janë përleshur me policinë turke në Stamboll, pasi kjo e fundit përdori gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë demonstruesit. Ata ndodheshin në parkun Gezi, ku që prej 28 majit protestohet kundër projektit për ristrukturimin e sheshit Taksim.
 
Fillimisht protestuesit u larguan nga parku, por më pas krijuan barrikada në rrugën pranë dhe ndezën zjarre.  Dëshmitarët thonë se mbrëmja e së shtunës (15 qershor) ishte nata më e vështirë e të gjithë netëve të tjera që prej fillimit të protestave 18 ditë më parë.
 
SULMI NE SHESHIN TAKSIM, MINISTRI: KUSH HYN NE SHESH DO TRAJTOHET SI TERRORIST
Sulmi i papritur ndodhi të shtunën pasdite, kur në shesh kishte dhe familjarë me fëmijë.  Agjentët me maska antigaz kanë nisur të bëjnë thirrje me megafonë për të braktisur sheshin. Fillimisht pompat e ujit janë vërshuar drejt sheshit Taksim, duke krijuar panik mes protestuesve të cilët kanë nisur të largohen duke u përpjekur të gjejnë strehë diku. Disa nga ata thërrisnin “Taksim është kudo, Taksim është gjithmonë”. Më pas u përdor gazi lotsjellës. Dy kamionë me ujë kanë arritur të hyjnë në pyllin e vogël prej 600 pemësh të cilët të rinjtë përpiqen ta mbrojnë, dhe në pak minuta ai vend i cili ishte për prehje u kthye në një tokë e shkretë ku njerëzit vraponin të dëshpëruar duke qarë dhe duke u kollitur nga gazi lotsjellës.
Kushdo që do të hyjë sonte në sheshin Taksim “do të trajtohet nga policia si terrorist” deklaroi mbrëmë ministri turk për cështjet europiane Egemen Bagis, shkruan Hurriyet online, ndërsa në zemër të Stambollit vazhdonin ende përleshjet mes policisë dhe manifestuesve, 4 orë pas ndërhyrjes së forcave të ndërhyrjes së shpejtë në parkun Gezi.

MJEKET: UJI ME PERBERES KIMIKE
Manifestues të shumtë dhe mjekë të ndryshëm kanë denoncuar me një deklaratë praninë e përbërësve kimikë në ujin, që ka hedhur policia në këto orë. Fotografitë e shpërndara në tëitter tregojnë irritime të mëdha, të provokuara mbi lëkurë.

PROTESTE NE ANKARA, TE HENEN GREVE KOMBETARE
Edhe në Ankara mijëra persona dolën nëpër rrugët e kryeqytetit për të shprehur mbështetjen ndaj protestuesve. Konfederata Punonjësve publikë (KESK, tha se do të bëjë thirrje për një grevë kombëtare të hënën, ndërsa një tjetër grup sindikalist po vendos nëse do i bashkohet kësaj proteste. Mjekët thonë se më shumë se 5000 persona janë plagosur dhe të paktën 4 të tjerë kanë vdekur që prej 31 majit.

Përveç opozitës politike të kryeministrit Erdogan, edhe Platforma Taksim, e cila mbledh 116 lëvizje kundër, denoncon dhunën e policisë kundër demonstruesve në parkun Gezi. "Ky sulm brutal nga policia duhet ndalur. Është partia politike në pushtet, që do të jetë përgjegjëse për ngjarjet e sotme dhe të djeshme" shkruan Platforma në një komunikatë. "Për momentin aktual, ne po manifestojmë kudo në vend kundër sulmit të qeverisë dhe po marshojmë në sheshin Taksim", ku gjendet parku Gezi, shton Platforma, duke denoncuar "qindra manifestues të plagosur" dhe dhjetra vetë të goditur nga “plumba kauçuku", të cilët nuk mund të shtrohen në spitale.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë