ANKARA- Shtatëmbëdhjetë ushtarë turq kanë humbur jetën nga rrëzimi i një avioni ushtarak në jug-lindje të Turqisë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat dhe zyrtarët në Turqi.

Nga raportimet e para të zyrtarëve turq është bërë e ditur se, avioni është rrëzuar si pasojë e motit të keq në provincën Siirt. Kryebashkiaku i Siirt, Ahmet Aydin është shprehur se, viktimat ishin pjesëtarë të Forcave Speciale Turke. Ushtria Turke është aktive në jug-lindje të vendit pasi aty po zhvillohen luftime kundër militantëve kurd.

Televizioni shtetëror turk ka raportuar se, rrëzimi i avionit ka ndodhur si pasojë e një mjegulle të dendur në një zonë malore, por autoritetet kanë nisur investigimet për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me ekzaktësi. Rebelet kurd janë aktiv në atë zonë, por ata nuk kanë pasur asnjë ndikim dhe nuk janë përfshirë në këtë incident.

(S.Ç/shqiptarja.com)