STAMBOLL- Zëvendëskryetari i Partisë AK, Hysejin Çelik tha se “nuk do të bëhet asnjë veprim në lidhje me parkun “Gezi” deri në marrjen e vendimit të Gjykatës dhe rezultateve të referendumit”. Kjo është deklarata pas takimit të së ejntes vonë, që zgjati afërsisht 4 orë mes kryeministrit Recep Tayyip Erdogan me delegacionin e përbërë prej anëtarëve të Shoqatës së Solidaritetit të “Taksimit” dhe Artistëve.
 
Erdogan zhvilloi një takim surprizë për të dytën ditë radhazi me delegacionin që përbëhet nga anëtarë të Platformës së Solidaritetit “Taksim’, e cila është në qendër të protestave që nga dita e parë, si tetë artistë të cilët mbështesin aktivistët ambientalistë.
 
Duke iu referuar një vendimi të gjykatës për pezullimin e planit rikonstruktiv të Parkut “Gezi”, Çelik tha se në rast se apeli dështon, zona në qendër të Stambollit do të qëndrojë ashtu siç është”.
 
Në rast se projekti merr dritën jeshile pas apelit, qeveria do të organizojë një referendum në lidhje me fatin e parkut “Gezi”.
 
Anëtarët e Platformës së Solidaritetit “Taksim” shprehën kënaqësinë e tyre me angazhimin e qeverisë ndaj vendimit të gjykatës.
 
“Ne do të reagojmë pozitivisht për këtë qëndrim pozitiv”, tha sekretari i platformës së “Taksim”.
 
Trazirat, që nisën dy javë më parë me demonstrata paqësore kundër planit rikonstruktiv të Parkut “Gezi” në Sheshin “Taksim”, u kthyen shpejt në protesta të dhunshme kundër kryeministrit Erdogan në disa qytete të Turqisë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)