Autoritetet turke arrestuan 209 persona gjatë operacioneve kundër terrorizmit të zhvilluara të martën, ndërsa opozita i cilësoi veprimet si pjesë të një goditjeje më të gjerë ndaj demokracisë dhe lirive civile në vend.
Prokuroria e Ankarasë njoftoi se janë lëshuar urdhërarreste për 241 të dyshuar në kuadër të hetimeve ndaj disa organizatave militante, përfshirë Shtetin Islamik dhe grupet e majta DHKP-C, MLKP dhe TKP/ML.
Sipas prokurorisë, 209 persona janë ndaluar deri tani, ndërsa operacionet për gjetjen e të dyshuarve të tjerë vazhdojnë.
Aksioni vjen vetëm një ditë pasi Prefektura e Ankarasë shpalli ndalimin për 13 ditë të protestave, konferencave për shtyp dhe tubimeve të tjera publike, nga 28 qershori deri më 10 korrik, duke përmendur si arsye masat e sigurisë për samitin e NATO-s që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik.
Prokurorët deklaruan se operacioni kishte për qëllim zbulimin e aktiviteteve të grupeve militante dhe nuk përmendën samitin e NATO-s në njoftimin zyrtar.
Mes të ndaluarve janë gazetari dhe aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Yildiz Tar, politikanë të majtë dhe disa avokatë, sipas organizatave të të drejtave të njeriut. Shoqata e Avokatëve Progresistë bëri të ditur se tre anëtarë të saj janë ndaluar.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi akuzat ndaj secilit prej të ndaluarve. Organizatat e të drejtave të njeriut thanë se të arrestuarve u është kufizuar për 24 orë e drejta për t’u takuar me avokatët e tyre.
Partia pro-kurde DEM dënoi operacionin, duke deklaruar se më shumë se 200 politikanë, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave demokratike u ndaluan gjatë kontrolleve të zhvilluara në orët e para të mëngjesit.
“Nën justifikimin e përgatitjeve për samitin e NATO-s po kufizohen politika demokratike dhe liritë themelore”, thuhet në reagimin e partisë, e cila kërkoi lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve.
Edhe organizata për të drejtat LGBTQ+ Kaos GL e lidhi valën e arrestimeve me masat e marra para samitit. Sipas saj, Yildiz Tar, kryeredaktor i organizatës, pritet të paraqitet në gjykatë të mërkurën në një çështje tjetër
Komente








