Turqia në kërkim të organizatorëve
të sulmeve në aeroportin Ataturk

Turqia në kërkim të organizatorëve<br />të sulmeve në aeroportin Ataturk
Frika, pasiguria, por edhe sfida ndaj atyre që shkatërrojnë jetë janë ndjenjat që mbizotërojnë pas sulmit të përgjakshëm në aeroportin “Ataturk” të Stambollit. Vdekja në spital e punonjësit të një kafeneje aty e çoi në 43 bilancin e jetëve të humbura nga të shtënat e shpërthimet në nyjen e tretë më të rëndësishme të transportit ajror në Europë. 41 prej 239 të plagosurve janë në reanimacion. Xhamat e thyer e shenjat nëpër mure ishin të dukshme edhe dje, megjithëse puna për riparimin e dëmeve nisi që të mërkurën. Njerëzit druhen, por kjo nuk i ka penguar të rikthehen sërish në atë që përpara dy ditësh u bë skenë e një masakre, vepër sipas gjasave e grupit të egër xhihadist të Shtetit Islamik. Një udhëtar turk thotë se sulmi, sipas mendimit të tij, ishte pasojë e paqëndrueshmërisë në mbarë rajonin. “Ka trazira në mbarë vendin, e këto përkthehen në pasiguri në trena, autobuzë, tragete.

Fatkeqësisht, në këtë pikë është mbërritur për shkak të instabilitetit në vendet që rrethojnë Turqinë”.

Turqia është pjesë e koalicionit ushtarak anti-ISIS të drejtuar nga Amerika e strehon rreth 3 milionë refugjatë sirianë, të larguar nga vendi i tyre për shkak të konfliktit rrënues 5-vjeçar. Pohimeve të kryeministri Binali Yildirim se të dhënat e para flasin që të gjitha për një sulm të Shtetit Islamik, i bëri jehonë edhe shefi i CIA-s, John Brennan sipas të cilit mësymja në aeroport ka të gjithë shenjat dalluese të grupit ekstremist. Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë e ngjarjes, por kjo nuk është për t’u çuditur pasi ISIS-i rrallëherë i ka deklaruar goditjet e tij në shtetin turk.

Armiku tjetër i Ankarasë, separatistët kurdë, autorë të jo pak sulmeve të rënda në rrjedhën e viteve, përgjithësisht në shënjestër vë policët dhe ushtarët turq.
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden e cilësoi si të admirueshme vendosmërinë e popullit turk, e me komentet se “botës së civilizuar do t’i duhet të jetojë me këta xhihadistë të pafytyrë derisa kalifati i tyre të zhduket nga faqja e dheut”, firmosi librin e ngushëllimeve në Ambasadën turke në Uashington D.C.
 
Autorët
Tre autorët e sulmeve që u morën jetën 43 personave në aeroportin e Stambollit këtë javë ishin nga Rusia, Uzbekistani dhe Kirgistani, bëri të ditur një zyrtar turk. Përveç kombësisë, nuk janë dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me 3 kamikazët pasi hetimet janë ende në proces. Mediat shkruajnë se kamikazi rus ishte nga Dagestani, zonë e cila kufizohet me Çeçeni, ku Moska ka udhëhequr dy luftëra kundër separatistëve.

Sulmi në Turqi i ngjan atij të marsit në aeroportin e Brukselit dhe kjo ka ngritur dyshime që përgjegjësia të jetë e Shtetit Islamik. Zyrtarë turq kanë fajësuar këtë grup terrorist që në orët e para pas sulmit, por realisht nuk ka prova të forta për këtë.
Shteti Islamik ka sulmuar edhe më parë në Turqi, por rrallë ka marrë përsipër përgjegjësinë. Agresorët e aeroportit nuk janë identifikuar ende, por mediat turke, bazuar në burime brenda policisë, thonë se ata janë të huaj.
Turqia ka kaluar pjesën më të madhe të këtij viti duke u përballur me sulmet terroriste të ISIS dhe rebelëve kurdë. Masakra e të martës ishte sulmi i tetë kamikaz brenda vitit në Turqi. Veç tensionimit të situatë dhe rritjes së frikës mes popullsisë, këto sulme kanë dëmtuar rëndë industrinë e turizmit në Turqi, një prej sektorëve më fitimprurës të vendit.
 
Goditja
Një karvan makinash me militantë të Shtetit Islamik u shkatërrua dje nga sulme ajrore në afërsi të qytetit irakian të Falluxhas. Autoritetet irakiane thanë se militantët po përpiqeshin t’ia mbathnin ofensivës të forcave irakiane që së fundmi rimorën kontrollin e qytetit. Karvani i Shteti Islamik u bombardua nga avionë irakianë, ndërsa ishin drejtuar për tek territori i këtij grupi në afërsi të kufirit sirian. Numri i të vrarëve nuk është ende i qartë, por mediat irakiane, bazuar në burime brenda forcave të sigurisë, thonë se bombat eleminuan mbi 250 militantë. 

Të dielën, qeveria irakiane deklaroi se qyteti i Falluxhës ishte plotësisht nën kontrollin e ushtrisë pas ofensivës 5-javore dhe sipas krerëve ushtarakë, militantët e vrarë nga sulmet ajrore kishin qenë rezistenca e fundit e ISIS-it në zonë. Megjithatë, nuk ka ende konfirmim të sulmeve ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA, i cili i ka siguruar një mbështetje të jashtëzakonshme forcave irakiane në ofensivën për të rimarrë Falluxhën. Kjo fitore konsiderohet nga Iraku si një hap shumë i rëndësishëm për të çliruar territoret e pushtuara në vend nga Shteti Islamik dhe tashmë kanë nisur zërat për ofensivën e radhës ndaj Mosulit, një tjetër qytet i madh në Irak që kontrollohet nga ISIS-i. 

Analistët thonë se problemi kryesor i Irakut vazhdojnë të jenë fondet për luftën në mes të krizës ekonomike që po kalon. SHBA ka premtuar një fond prej 2.7 miliardë dollarësh për ushtrinë irakiane që të blejë armë dhe të mirëmbajë avionët luftarakë, pasi vendi nuk po përpiqet t’i bëjë ballë uljes së ndjeshme të çmimit të naftës që është eksporti më i madh i Irakut.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur