Receta e parë: Pite e shpejtë me presh

Përbërësit:

1 kg presh

1 tufë qepë të njoma

1 tufë majdanoz

150 gr djath i bardhë

3 vezë

Kripë dhe piper i zi

½ gotë qumësht

250 gr miell misri

250 gr miell gruri

Pluhur pjekës

1 gotë kos

1 gotë ujë i gazuar

2 filxhan kafeje vaj ulliri

Përgatitja:

Presim preshët në gjysma për së gjati. I pastrojmë ato me ujë të bollshëm  dhe më pas i presim tërthorë me trashësi 1 cm. Po kështu dhe qepët por me gjerësi 0,5 cm. Vendosim tiganin, 3 lugë gjelle vaj ulliri dhe kaurdisim preshët e qepët deri sa në tigan të mos ketë më ujë. Ndërkohë që gatuhet preshi dhe qepa në një tas bashkojmë miellin e misrit me miellin e grurit , pluhur pjekës dhe i përziejmë. Shtojmë pak kripë dhe e trazojmë. Më pas në mes të tasit hapim një gropë dhe shtojmë në të 2 kokrra evzë, kosin, ujin e gazuar në mënyrë graduale dhe vazhdojmë trazimin. Do të përgatisim një brumë të hollë aq sa kur ta provijmë me lugëai të bjerë lirshëm nga luga. (një brumë pak më i trashë se brumi i krepave).

Largojmë preshin nga tigani, e vendosim në një tas dhe shtojmë në të ½ gotë qumësht, 1 kokërr vezë dhe i trazojmë. Shtojmë pak majdanoz, djath të thërrmua, kripë e piper dhe i përziejmë mirë së bashku.

Lyejmë tepsinë me vaj apo gjalp. Përhapim brumin (jo trashë) në tepsi si bazë, duke e niveluar mirë. Lugë lugë mbi bazën e brumit, vendosim preshët duke i shtruar mbi të gjithë sipërfaqen e brumit. Pasi nivelojmë preshët, i spërkatim me brumë shumë hollë, e mbulojmë komplet preshin. Në fund lyejmë dorën me vaj dhe spërkatim të gjithë sipërfaqen e tij.  E vendosim në furrën e parangrihur në temperaturën 200ºCpër 40-50 minuta.

Pite e shpejtë me presh

Receta e dytë: Supë me pulë, vezë dhe limon

Përbërësit:

1 filxhan çaj copëza pule

1 filxhan kafe oriz

1,5 lëng pule

1 karrotë

½ limon (lëngu)

2 të verdha veze

½ tufë majdanoz

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Vendosim tenxheren me 1,5 litër ujë për tu zier. Në momentin e zierjes vendosim copat e pulës dhe kripë dhe e lëmë të ziejë për 30 minuta.  Largojmë copat e mishit, kullojmë lëngun epulës në sitë dhe e vendosim përsëri në tenxhere (në zjarr). Shtojmë në të 1 karrotë mesatare dhe 1 filxhan kafeje oriz. E lëmë të ziejë për 15 minuta.

Nxjerrim karrotën, e presim atë në kubikë ose e shtypim me pirun dhe e vendosim përsëri në tenxhere basgkë me mishin e pastruar nga kockat dhe lëkura. Grijmë majdanozin dhe e shtojmë në tenxhere të ziejë në 2 minutat e funsit para se të përfundojë zierja e orizit. Shtojmë lëng limoni sipas dëshirës tuaj. Rrahim të verdhat e vezëve , shtojmë pak ujë dhe preism supën me vezë. Fikim zjarrin dhe lëmë tenxheren për pak. Mbulojmë tenxheren dhe e shërbejmë supën të ngrohtë.

Supë me pulë, vezë dhe limon