Vetëm disa orë përpara se të telefononte policinë duke ngritur një alarm të rremë për terrorizëm në shkollën “Emin Duraku”, protestuesi Edmond Jatagani kishte bërë thirrje nga protesta që prindërit të mos i dërgonin fëmijët në shkollë.
Në një fjalim të mbajtur mbrëmjen e djeshme poshtë Kryeministrisë, në ditën e 106-të të protestës, ai kishte ngritur skenarin absurd se materialet me të cilat janë ndërtuar shkollat mund të marrin flakë lehtësisht, rrezikuar jetën nxënësve. Jatagani i quajti shkollat “krematoriume” dhe u bëri thirrje prindërve që në vend që t’i çonin fëmijët në mësim t’i dërgonin në protestë para Kryeministrisë.
“Këtu para meje ishte një fëmijë, ai fëmija nesër do iki në shkollë. A e dini që shkollat tona, 65 prej tyre janë të bëra me paratë e Europës, që janë të veshura me polisterol të djegshëm. Për një fëmijë që nuk do të futet në provim, do të mjaftonte një çakmak për të marrë në qafë 1 mijë fëmijë. Është një gjë e trishtueshme nëse prindërit çojnë fëmijët nesër në shkollë dhe nuk vijnë këtu, pori çojnë drejt vdekjes së sigurt. Kush e ka radhën nuk e di, i drejtohem gjyshërve që luajnë domino por nuk vijnë në shesh, atyre që i kanë fëmijët në emigrim dhe nipat jashtë vendit, por i qesh fytyra kur shohin fëmijën e komshiut, i drejtohem çdo prindi, edhe komunitetit LGBT, është një çështje që na përket të gjithëve. Janë 450 shkolla në të gjithë Shqipërinë të bëra në këtë mënyrë që nga 2015. Nesër e mos i çoni fëmijët në krematoriume, por sillini këtu para kryeministrisë, në orën 7 të mëngjesit, siç ka qenë 1 maji dikur që fëmijët parakalonin, ne ti tregojmë se e ardhmja jonë, nuk është në duart e korrupsionit, por në ndërgjegjen tonë”, tha ai gjatë protestës mbrëmjen e djeshme.
Lajmi kryesor:
Protestuesi përhap panik për terrorizëm në shkollën 'Emin Duraku' në Tiranë, vihet në pranga! I shoqëruar disa herë edhe për thirrje për dhunë (VIDEO)









