Media britanike “Daily Mail” i ka kushtuar artikull një shqiptari, i cili u arrestua vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Kelmend Tërshalla u arrestua në High Wycombe, Buckinghamshire, pasi kishte fshehur drogë në makinën e tij.
Tërshallën, media britanike e ka cilësuar si një trafikant droge arrogant, pasi postonte foto duke numëruar para.
22-vjeçari, i cili u paraqit në gjykatë me ndihmën e një përkthyesi shqiptar, tani ndodhet në burg prej 25 muajsh.
Një gjyqtar kritikoi ashpër Tershallën për imazhet e tij duke postuar foto me para, drogë dhe armë.
Meqenëse ky është dënimi i tij i parë në Mbretërinë e Bashkuar, gjykatësi i shpjegoi se dënimi do të ishte më i rëndë nëse ai do të kryente përsëri shkelje.
Peter Shaw, duke ndjekur çështjen në gjykatë të martën, tregoi se si policia kishte ndaluar një automjet që drejtohej nga Tërshalla më 25 tetor.
“Ai u ndalua për të kontrolluar nëse kishte drogë. Nën sediljen e pasagjerit përpara, policia gjeti drogën”, tha Shaw.
Zyrtarët e Policisë së Thames Valley zbuluan 6 doza kokainë, 31 kavanoza me kanabis dhe 5 pako me cigare elektronike me kanabis.
Tershallës iu gjetën gjithashtu me 319 paund dhe një telefon celular i cili u sekuestrua nga policia.
“Shumica e mesazheve të gjetura në telefon ishin në shqip, por nga numri i vogël i mesazheve në anglisht, ishte e qartë se i pandehuri po udhëzohej nga një kontakt për t’u siguruar përdoruesve kokainë dhe kanabis. I pandehuri dukej se po kontaktonte përdoruesit dhe po organizonte furnizimin me drogë”, shtoi prokurori.
Në një seancë dëgjimore për përgatitjen e pranimit të fajësisë dhe gjyqit, ai më vonë kishte pranuar posedim droge të cilësisë më të mirë me qëllim shitjen.
Rhys Rosser, avokati mbrojtës, tha se Tershalla ishte ‘plotësisht i penduar’ për përfshirjen e tij në trafikun e drogës dhe se i kishte shkruar gjykatës për të treguar se do të pranonte fajësinë.
“319 paund nuk janë tregues i një përfitimi të konsiderueshëm financiar. I pandehuri po udhëzohej nga persona të tjerë”, argumentoi avokati i Tërshallës.
Gjykatësi Simon Dyer KC tha se Tershalla kishte vetëm rol shpërndarës, por shtoi se ai ishte ‘duke u mburrur’ me paratë e fituara, në fotografitë e gjetura nga policia.
Imazhet tregojnë Tershallën duke pozuar me një armë pranë një tavoline të mbuluar me kartëmonedha. Një tjetër foto tregonte Tershallën me një orë dore të shtrenjtë, duke mbajtur një tufë parash para fytyrës së tij.
Gjykatësi Dyer i tha atij: “Nuk ka prova të besueshme që të vendosin në një kategori më të lartë të veprës penale, megjithëse gjykata nuk është e impresionuar nga shfaqja mjaft arrogante e parave, makinave dhe armëve, në fotografi”, u shpreh Dyer.
“Ky është dënimi juaj i parë në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse do të vinit përsëri këtu, dënimi do të ishte shumë më i gjatë”, përfundoi gjykatësi.
Komente
