Report Tv ka siguruar foton e Artef Lekaj, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me një të mitur, 15-vjeçare dhe ka ngacmuar seksualisht një vajzë 10-vjeçare .
67-vjeçari u ekstradua mbrëmë nga Brazili drejt vendit tonë 2 vjet pasi u arrestua në Amerikën Latine.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 26 vjet burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”.
"Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe homologëve në Brazil, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Brazili në Shqipëri, të shtetasit Artef Lekaj, 67 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 26 vjet burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”, vendim i cili ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Gjatë periudhës 2020-2021, shtetasi A. L. ka ngacmuar seksualisht një të mitur 10-vjeçare dhe ka abuzuar seksualisht me një tjetër të mitur, 15-vjeçare.
Pas ekstradimit nga Brazili, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ekzekutuan vendimin penal të Gjykatës së Apelit", thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento