DURRËS- Një 27 vjeçar është arrestuar në Durrës pasi ka tentuar të vjedhë me dhunë banesë e një gruaje. Burime zyrtare bëjnë me dije se 27-vjeçari është identifikuar si Dorjan Topuzi.
Topuzi është futur ditën e djeshme në banesën e shtetases M. B., përkatësisht në lagjen 13 Plazh dhe e ka kërcënuar atë me thikë. Sakaq, Topuzi ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj duke e goditur me grushte.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale thikën, ndërsa ndaj 27-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale "Vjedhja me dhunë".
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas marrjes së informacionit se në një banesë në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, një shtetas po tentonte të vidhte me dhunë, menjëherë kanë mbërritur në adresën e dhënë, ku bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. T., 27 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, ditën e djeshme, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pasi është futur me forcë në banesën ku jetonte me qira shtetasja M. B., e ka goditur atë me grushte dhe nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), ka tentuar të vjedhë para në shtëpinë e saj", shkruhet në njoftim.