Sali Berisha, 2 herë i zgjedhur President i Republikës, 8 vite Kryeministër i vendit dhe për 30 vite lider i së djathtës, do ta mbyllë karrierën e tij në 'luftë' me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas vendimit të SHBA e cila e futi në “listën e zezë”, Sali Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Padinë ndaj Blinken, Sali Berisha e ka ngritur për shpifje përmes avokatit francez Jean-Yves Le Borgne, një ndër më të kushtueshmit dhe këtë padi e ka ngritur në gjykatën Korreksionale të Parisi, pasi Berisha e cilësoi Francën si një vend neutral në lidhje me këtë çështje.

Berisha tha në konferencë për shtyp se këtë gjë po e bën për të rikthyer dinjitetin e tij të nëpërkëmbur, por shtoi se ky nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat shprehet se ushqen ndjenjat e vendit të lirisë. Në lidhje me DASH për akte korruptive dhe se ka minuar demokracinë, për Berishën janë të montuara politikisht në Tiranë në zyrën e Edi Ramës.

"Dje Sekretari i Shtetit në mënyrën më shpifëse vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën politike, që kur kam prekur rrogën e parë në borderotë e shtetit, dhe gjeri ditën e djeshme nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë që unë kam qenë i implikuar në një afere të zakonshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim që të ngrejë ndaj z. Blinken padi direkte për shpifje publike. Në qoftë se Sekretari i Shtetit do të paraqiste prova unë do ta konsideroja. Por jo me këto prova të montuara në Tiranë te zyra e Edi Ramës", tha Berisha.

Berisha tha se ky vendim i DASH nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes PD dhe Ambasadës Amerikane në vendin tonë,  ndërsa bëri të qartë se ai nuk do të largohet nga politika dhe nuk e jep dorëheqjen nga mandati i marrë në zgjedhjet e 25 prillit, duke lënë të kuptohet se në shtator do të jetë në Kuvend.

Heshtja e Ilir Metës, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Sali Berishës në jetën politike, për Berishën është normale dhe se ai mbrohet vetë dhe nuk ka nevojë që të tjetër të flasin për të.

Dje DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

SHBA e akuzoi Berishën se  ka përdorur retorikën e tij për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura antikorrupsion dhe masave llogaridhënëse. Sekretari amerikan i shtetit teksa bëri të ditur vendimin e SHBA garantoi se amerikanët do të jenë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët në Shqipëri, ndërsa theksoi se Berisha kanë minuar demokracinë.

 

 

VIDEO-konferenca e plotë e Sali Berishës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:03
I druheni përjashtimit nga grupi parlamentar nga PD? Berisha refuzon t'i përgjigjet pyetjeve të Report Tv

Sali Berisha refuzoi t'i jepte përgjigje pyetjes së gazetares së Report Tv Danjela Maloku nëse i druhet përjashtimit të tij nga PD. Duke anashkaluar pyetjen, Berisha tha se ai ka luftuar që në diktaturë për dinjitetin e tij dhe se këtë betejë po e bën vetëm për të rivendosur dinjitetin që iu cenuar nga vendimi i  DASH.

"Kur isha në diktatorë dhe vendosa të luftojë për dinjitetin tim, bashkëmoshatarët e tu vriteshin në kufi. Me këtë dua të them se para dinjiteti nuk vë asgjë tjetër mbi tokë, unë do rivendos dinjitetin tim", tha Berisha.

Në deklaratën e djeshme të Lulzim Basha u la e qartë të kuptohet se PD nuk do të përjashtojë Berishën, përkundrazi Basha i doli në mbrojtje 100%. Megjithatë edhe nëse grupi parlamentar i PD vendos që ta përjashtojë Sali Berishën nga PD, mandati i tij në Kuvend fituar në zgjedhjet e 25 prillit mbetet në dorë të Berishës nëse do e mbajë apo jo. Në konferencë Berisha e tha qartësisht se nuk ka ndërmend të heq dorë nga politika.

Ora 18:38
Do e dorëzosh mandatin? Berisha: Do ta dyfishoj

Sali Berisha e ka mbyllu konferencë me një batutë por duke dhënë një mesazh të qartë se ai nuk ka në plan të largohet nga politika edhe pse ndaj tij është dhënë vendimi më i rëndë nga SHBA duke e shpallur atë 'non grata'. I pyetur nëse do të jap dorëheqjen nga mandati i fituar në zgjedhjet e 25 prillit, Berisha tha se do ta dyfishojë atë, dhe se nuk ka ndërmend të heq dorë nga politika.

Gazetarja: Pasi të vesh dinjitetin në vend, do heqësh dorë nga mandati

Berisha: Unë tash se dhe a do e dyfishosh

Ora 18:27
Qëndrimi i PD ndaj Yuri Kim pas vendimit të DASH, Berisha: Palët duhet të kenë marrëdhëniet më të mira mes tyre

Pas vendimit të SHBA-së për shpalljen 'non grata', Sali Berisha tha se kjo gjë nuk duhet të ndikojë te PD dhe se Partia Demokratike dhe Ambasada Amerikane në vendin tonë dhe me ambasadoren Yuri Kim duhet të kenë marrëdhëniet më të mira.

"Qëndrimin më të mirë të mundshëm që është natyrisht. Unë jam për marrëdhënie të mira, shumë të mirë, por vetëkuptohet që harmonizimi i platformave dhe objektive është një çështje që kërkon kohë", tha Berisha.

Ora 18:25
Bëre fajtor Sorosin? Berisha: Po ndryshonin kufijtë në Ballkan

 

Ish-Kryeministri Sali Berisha i pyetur nëse e akuzon George Sorosin për vendimin e DASH u përgjigj se ka rezistuar ndaj një projekti për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

"Jo nuk e them që është George Soros por them se kam qenë i pari që kam kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve.  Ishte bërë një lobim aq i fuqishëm sa ju nuk mund ta imagjinoni. Por interesi i vendit tim e kërkonte që unë të thosha atë që mendoja. Unë kam qenë një prej njerëzve me qëndrimin më të fortë në luftën kundër drogës", tha Berisha.

Ora 18:19
Heshtja e Metës për vendimin e SHBA, Berisha: Është normale, unë flas vetë

Presidenti Ilir Meta, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Sali Berishës në jetën politike, nuk ka reaguar në lidhje me vendimin e DASH për të shpallur 'non grata' Sali Berishën. I pyetur për heshtjen e Metës, Berisha tha se kjo është normale dhe nuk ka pse të reagojë dhe se ai prononcohet vetë për rastin.

"Është normale që Ilir Meta të mos prononcohet për këtë rast dhe nuk ka pse e bën. Unë prononcohem vetë siç dhe e shikoni", tha Berisha.

Ora 18:12
Berisha nuk jep dorëheqjen nga mandati i deputetit: SHBA-së i gjeti provat në zyrën e Edi Ramës


Sali Berisha ka mohuar mundësinë që të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit pasi sipas tij amerikanët nuk nxorën prova.

"Në qoftë se Sekretari i Shtetit do të paraqiste prova unë do ta konsideroja. Por jo me këto prova të montuara në Tiranë te zyra e Edi Ramës", tha Berisha.

"Kërkova që të paraqitej një fakt i vetëm sepse do mjaftonte një fakt dhe do të merrje vendime krejt të tjera. Kishin 0 fakte. Nuk humbas do të jap të gjitha do të bëj çdo përpjekje që të paraqiten në gjykatë provat ndaj meje", tha ai.

Ora 18:11
Berisha: Blinken nuk mund të mbrohet nga imuniteti i tij në gjykatë! Dinjiteti im s'mund të preket nga montazhet politike për të më dëmtuar

Sali Berisha tha se sekretari amerikan i shtetit Blinken nuk mund të mbrohet në gjykatë nga imuniteti pasi akuzat e tij Berisha i cilësoi si montazhe politike që i janë bërë atij për ta dëmtuar dhe cenuar dinjitetin.

Zoti Blinken mundet të pretendojë se si pas rregullave si ministër i punëve të jashtme, ai përfiton nga imuniteti, kjo është gënjeshtër. Imuniteti sot vlerësohet nga gjykatat në një mënyrë relative, çka do të thotë se sekretari Blinken është i mbrojtur nga imuniteti kur ai kryen akte normale në ushtrimin e funksionit, por duke filluar nga momenti kur Blinken bëhet autori i një komenti dhe montazhi politike për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet  e një ministri. Pra sipas avokatit tim që unë kam konsultuar zoti Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet ndaj dhe do ta padis dhe do të dënohet nga gjykata e Parisit në të cilën është ngritur padia nga avokati im. Një vendim ky i paparashikuar ndonjëherë në jetën time, një admirues i pakufishëm i vendit të madh të lirisë, aleatit kryesor të kombit shqiptar. Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Nëse i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin ti e zhvlerëson atë për vetën e tij, familjen dhe miqtë dhe komunitetin ku jeton. Unë kam qenë president i republike, kryeministër dhe kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëjë gjithçka për nderimin e këtij dinjiteti., Sot jam qytetar privat dhe jam përgjegjës për dinjitetin tim. Ka qenë dinjiteti i munguar s epo po të kthemi 40 vite pas mua do të më gjenit një kardiolog pasionant, një njeri i shëtitur që jetonte absolutisht jo keq, kishte një banesë 30 metra më e vogël nga kjo që kam sot por kishte një problem nuk kishte dinjitet ky njeri. Shtysa ime për të dalë kundër atij regjimi. Jo si një akt ndaj shteteve të bashkuara për të cilat ushqej të njëjtat ndjenja por ndaj një njeri i cili pa reshtura asnjë prova asnjë fakt asnjë argument ka ngritur këta akuza që nuk i ka ngritur askush ndaj meje, asnjë kundërshtar, tha Berisha.

 

Ora 18:02
Sali Berisha hedh në gjyq Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Sali Berisha hedh në gjyq Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Jam këtu për t'ju infiormuar për një vendim të pazakontë por të rëndësishëm. Dje Sekretari i Shtetit në mënyrën më shpifëse vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën politike, që kur kam prekur rrogën e parë në borderotë e shtetit, dhe gjeri ditën e djeshme nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë që unë kam qenë i implikuar në një afere të zakonshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim që të ngrejë ndaj z. Blinken padi direkte për shpifje publike", tha Berisha.

Ora 18:00
Berisha mbërrin për konferencën për shtyp, pritet nga mbështetës me duartrokitje

Ashtu siç kishte paralajmëruar, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur për të mbajtur konferencën për mediat pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA, së bashku me familjen e tij.

Berisha është pritur para dyerve të hotelit ku do të mbajë konferencën me duartrokitje nga disa simpatizantë.