CIA e gjeti, Izraeli e vrau. Kështu përfundoi, në mes të ditës, karriera e gjatë e Ali Khameneit, simbol dhe Udhëheqës i Republikës Islamike. Dhe për herë të tretë drejtuesit e boshtit shiitë u kapën në befasi nga armiku në mes të një emergjence të plotë, shkruan Corriere della Sera.

Mediat amerikane New York Times dhe Wall Street Journal kanë rindërtuar disa faza të operacionit që përfundoi me një tjetër “prerje koke” të regjimit iranian. Një mision i kryer nga dy shërbime inteligjence të mësuara të bashkëpunojnë në një fushë ku aleancat vlejnë deri në një farë mase.

Amerikanët kishin ndjekur gjurmët e liderit për muaj me radhë, një figurë që kishte kufizuar në minimum paraqitjet publike si për arsye shëndetësore, ashtu edhe për motive sigurie. Ai e dinte se ishte në krye të listës së “hartuar” nga Donald Trump dhe Bibi Netanyahu. Në Teheran thuhej  gjithmonë se ai ishte i mbrojtur, në një strehë të sigurt dhe të mbrojtur nga kontrolle të imtësishme për të shmangur më të keqen. Por mburoja u përça.

SHBA-të mblodhën informacione për një mbledhje të drejtuesve më të lartë brenda Beit E Rahbari, kompleksi në kryeqytet që përfaqëson një nyje strategjike. Pra, nuk u desh ta kërkonin diku larg, nuk ishte i fshehur në një shpellë në shpat mali dhe as në një apartament anonim. Pasi u siguruan (ose pothuajse) për praninë e tij, ia kaluan informacionin Forcave të Mbrojtjes Izraelite, një shkëmbim i kundërt me atë të janarit 2020, kur ishin izraelitët që ndoqën lëvizjet e fundit të Qasem Soleimani, kreut të Divizionit Qods të pasdaranëve. Një ndjekje që më pas lejoi një dron amerikan ta eliminonte pranë aeroportit të Bagdadit, në Irak. Vrasje e synuar e urdhëruar gjithashtu nga Donald Trump.

Mekanizmi u përsërit të shtunën në mëngjes me hapjen e “dritares së mundësisë”. Ishte e mundur të goditej Khamenei dhe një grup i lartë oficerësh të thirrur për një samit lufte. Mes tyre ishin ministri i Mbrojtjes Aziz Nasirzadeh, komandanti i pasdaranëve Mohammad Pakpour, shefi i shtabit Abdolrahim Mousav, këshilltari dhe ish-admirali Ali Shamkhani, përgjegjësi i divizionit hapësinor-ajror Sayed Mousavi, numri dy i ministrisë së inteligjencës Mohammad Shirazi dhe figura të tjera të rëndësishme.

Nuk përjashtohet mundësia që spiunët të kenë mbajtur nën vëzhgim drejtuesit kryesorë me shpresën për të arritur tek “koka”: shërbimet sekrete mund të kenë një goditje fati, por mund edhe të ndërtojnë me durim mozaikun duke bashkuar pjesët.

Kombinimi i faktorëve lejoi goditjen shkatërrimtare. Avionët luftarakë u ngritën nga një bazë izraelite rreth orës 6 të mëngjesit, të pajisur me armë me rreze të gjatë. Dy orë më vonë nisi veprimi përfundimtar: të paktën 30 predha goditën kompleksin.

Sipas New York Times, oficerët ndodheshin në një ndërtesë ndërsa udhëheqësi ishte në një krah nëntokësor, por jo në bunkerin më të thellë. Bombardimi i pandërprerë nuk la shpëtim për shumicën e të pranishmëve, të zhdukur nga shpërthimet dhe shembja e një pjese të strukturës. Dëme të dukshme edhe nga fotot satelitore të publikuara më pas nga Tel Avivi.

Autoritetet iraniane fillimisht deklaruan se Khamenei ishte i sigurt, më pas folën për kontakte të ndërprera, por premtuan një fjalim të tij për kombin. Realiteti ishte krejt tjetër: Udhëheqësi ishte vrarë, bashkë me një numër të madh funksionarësh. Disa prej tyre kishin zëvendësuar kolegë të eliminuar, po nga izraelitët, në konfliktin e qershorit.

Zbulimet e gazetave përfaqësojnë vetëm një pjesë të së vërtetës. Do të dalin detaje dhe versione të tjera, do të qarkullojnë informacione për të mbrojtur burimet dhe taktikat. Megjithatë, në këtë përballje ekziston një vijë e qartë: Izraeli dhe SHBA-të kanë depërtuar rrjetin e sigurisë së kundërshtarit dhe e kanë bërë këtë në momente të ndryshme. Me pajisje komunikimi të shndërruara në mjete shpërthyese kundër Hezbollahut. Me vrasjen e sekretarit të fraksionit libanez Hassan Nasrallah, të “arritur” në strehën e tij në thellësi të Bejrutit. Me “prerjen e kokës” së hierarkisë ushtarake iraniane në verë. Ngjarje të paraprira nga një seri e gjatë eliminimesh të kuadrove dhe shkencëtarëve.

Suksese të atribuuara pranisë së agjentëve, përdorimit të inteligjencës artificiale, ndihmës së bashkëpunëtorëve të gatshëm të tradhtojnë për hakmarrje ose para, rolit të teknologjisë dhe aftësisë së burrave e grave që prej kohësh zhvillojnë një duel rraskapitës. Një rezultat edhe më domethënës përballë Iranit, një vend i mësuar me “komplotin” dhe intrigën, një regjim me aparat sigurie të shumëfishtë dhe të ashpër. Por në këto vite shtypja dhe sistemi i kontrollit kanë konsumuar forca dhe kanë krijuar çarje të shfrytëzuara në momentin e duhur nga armiku.