Një 22-vjeçar nga Shkodra është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Kontinenti”, pasi u kap duke marrë në një degë postare në Vorë një pako me lëndë narkotike që vinte nga Kanadaja.

Në pranga është vënë Orgest Kurtaj, i cili kishte shkuar pë të tërhequr pakon, brenda së cilës kishte 7 kg kanabis me përqindje të lartë THC-je. Droga ishte trafikuar nga Kanadaja, ndërsa policia ka bërë të mundur edhe identifikimin e porositësit të pakos, shtetasi me inicialet Z. M, i cili është shpallur në kërkim.

Operacioni u krye nga efektivët për Hetimin e Narkotivëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare.

Njoftimi i policisë: 

Tiranë/Operacione të njëpasnjëshme kundër trafikimit në Shqipëri, të lëndës narkotike Cannabis Sativa, me përqindje të lartë THC-je.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontinenti”. Sekuestrohen 7 kg Cannabis, trafikuar nga Kanadaja.

Kapet duke marrë pakon me lëndë narkotike, në një degë postare në Vorë, një 22-vjeçar, banues në Shkodër.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim porositësi i pakos.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, në vijim të operacioneve policore me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC-je, finalizoi operacionin “Kontinenti”.

Në kuadër të operacionit, u vu në pranga shtetasi O. K., 22 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në flagrancë, në një degë postare në Vorë, gjatë marrjes së një pakoje me 7 kg Cannabis me përqindje të lartë THC-je, të dyshuar të trafikuar nga Kanadaja.

Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni u mundësua dhe identifikimi i porositësit të pakos, shtetasit Z. M., për kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.