Një 36-vjeçar i identifikuar si Andi Xhafa është arrestuar nga policia pasi është kapur në një lokal në zonën e Fushë-Krujës me pistoletë të fshehur në një çantë.

Nën hetim është vënë dhe pronari i lokalit Admirand Stafuka.

“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Klienti”.  

Kapet i armatosur me pistoletë në një lokal në Fushë Krujë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.      

Procedohet penalisht pronari i lokalit, për moskallëzim krimi.    

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak.  

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Klienti”.   

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin e shtetasit A. S., në Fushë Krujë, ku kanë lokalizuar shtetasin A. Xh., të cilit gjatë kontrollit në çantë, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak.  

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Xh., 36 vjeç dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 41 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë