Dy persona kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Durrës, të akuzuar për shpërndarje droge. Me një njoftim për mediat, policia bën me dije se në pranga kanë rënë një 30-vjeçar me inicialet A.D., dhe një 34-vjeçar me inicialet A.N., të dy banues në Tiranë.
Atyre iu gjet 61.5 gr kokainë në mjetin tip "Nisan", të cilën po bëheshin gati ta shisnin në doza.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
"Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në lagjen nr. 13, Durrës, 2 shtetas dispononin lëndë narkotike dhe po përgatiteshin për ta shitur atë në doza, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: A. D., 30 vjeç dhe A. N., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip "Nissan" me drejtues shtetasin A. N., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi prej 61.5 gr lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale", njofton policia.