Dy vëllezërit janë konfliktuar dhe kanosur prokurorin e SPAK, Behar Dibra, i cili në shoqërinë e një punonjësi të BKH, po kthehej nga Elbasani, ku kishte qenë për të kryer detyrën dhe të hetonte ngjarjë të rënda kriminale që lidhen me arrestimin e njerëzve të Erion Alibeaj, Arben Spahiut dhe Arsen Preçit.

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se dy vëllezërit i kanë bllokuar rrugën prokurorit dhe më pas ka nisur debati i cili është tensioniar së tepërmi. Njëri prej të akuzuarve ka nxjerrë një dokument dhe ka pretenduar se është punonjës policie dhe në këtë koment prokurori i SPAK Dibra ka treguar gjithashtu dokumentin që tregon se është anëtar i Prokurorisë së Posaçme dhe më pas vëllezërit janë larguar. Prokurori ka vënë në dijeni autoritetet për përplasjen dhe policia është vënë në kërkim të Orges dhe Emirjan Sinës. Një postbllok në Durrës i ngritur posaçërisht është thyer nga dy vellëzërit duke e rënduar pozitën e tyre, të cilët janë arrestuar dhe tashmë janë në qeli.

Për ngjarjen mësohet se është vënë në dijeni edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Masa e sigurisë është dhënë dje nga Gjykata e Elbasanit, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë 'arrest me burg'. Mbi dy vëllezërit rëndojnë 4 akuza si kundërshtim i forcave të policisë, mosbindje ndaj policisë, kanosje e prokurorit dhe mbajtje pa të drejtë e titullit.