Një shenjë e zbehur e një dore në murin e një shpelle në Indonezi mund të jetë vizatimi më i vjetër i njohur në shkëmb në botë, thonë arkeologët. Sipas tyre, kjo “dorë” është vizatuar të paktën 67,800 vjet më parë, shumë më herët se shumica e arteve të njohura deri sot.
Zbulimi u bë në një shpellë gëlqerore në ishullin Muna, në zonën e Sulawesit juglindor, një vend ku shkojnë edhe turistë. Për çudi, ky vizatim shkëmbor kishte kaluar pa u vënë re, sepse pranë saj ka edhe vizatime më të reja me kafshë dhe figura të tjera.
Studiuesit thonë se e kanë përcaktuar moshën duke matur një shtresë shumë të hollë gurëzish që ishte formuar sipër vizatimit me kalimin e kohës. Kjo u dha atyre një moshë minimale: pra, vizatimi duhet të jetë të paktën aq i vjetër sa ajo shtresë gurësh.
Si është bërë ky vizatim vallë? Në atë kohë njerëzit vizatonin kështu: vendosnin dorën në mur dhe pastaj spërkatnin rreth saj pluhur okre me ngjyrë të kuqerremtë të përzier me ujë. Kur hiqej dora, në mur mbetej forma e saj.
Ajo që i ka habitur shkencëtarët është se gishtat duken të gjatë dhe me maja, sikur dikush i ka “rregulluar” qëllimisht që të duken ndryshe, madje disa mendojnë se mund të ngjajnë me kthetra. Sidoqoftë, askush nuk e di me siguri pse është bërë kështu, por duket se ka pasur një kuptim simbolik.
Zbulimi është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër: mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë si kanë lëvizur njerëzit nëpër ishuj dhe si mund të kenë arritur deri në Australi. Disa studiues mendojnë se kjo “dore” mund të jetë bërë nga paraardhësit e popujve autoktonë të Australisë.
Komente







