ITALI - Elseid Hysaj është pranë nisjes së një kapitulli të ri në karrierën e tij. Mbrojtësi shqiptar pritet të mbetet pjesë e Serie A, pasi Lecce ka intensifikuar negociatat për transferimin e 32-vjeçarit, i cili është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Lazion.

Sipas raportimeve nga Italia, bisedimet mes palëve po ecin në drejtimin e duhur dhe klubi nga Puglia synon ta finalizojë marrëveshjen brenda ditëve të ardhshme, duke i besuar eksperiencës së Hysajt për të përforcuar repartin mbrojtës për sezonin e ri.

Hysaj i dha fund këtë vere aventurës pesë vjeçare me Lazion, ku zhvilloi 131 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar dy gola dhe katër asistime. Megjithatë, sezoni i fundit nuk ishte ndër më të mirët për mbrojtësin kuqezi, pasi ai u aktivizua vetëm në pesë takime të Serie A.

Nëse transferimi te Lecce zyrtarizohet, Hysaj do të vazhdojë karrierën në elitën e futbollit italian dhe do të ketë mundësinë të luajë përkrah një tjetër futbollisti shqiptar, mesfushorit Medon Berisha.

Karriera e Hysajt është zhvilluar vetëm në Itali. I dalë nga Empoli, ai u bashkua në vitin 2015 me Napolin ku kaloi gjashtë sezone dhe më pas kaloi te Lazio ku kaloi pesë sezone të tjera.