Policia e Tiranës ka arrestuar mëngjesin e sotëm ish-Prefektin e Fierit Bujar Hasa njëkohësisht edhe ndërtues. Arrestimi i tij është bërë pasi gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për mashtrim.

Hasa akuzohet se së bashku me një tjetër person me inicialet P.P. kanë mashtruar 2 persona, një kanadez dhe një shqiptar duke u marrë mbi 300 mijë euro (260 mijë dollarë dhe 50 mijë euro).

Ish-Prefekti Hasa sipas policisë i ka shitur një kanadezi me inicialet B.H. një dyqan në Tiranë, por me dokumente false, ndërkohë që i mori 260 mijë dollarë.  Po ashtu edhe shqiptarit me inicialet D.M., i shiti një apartamentet me dokumente false duke e mashtruar, raporton gazetari Dricim Caka.

Hetimet kanë nisur 8 muaj më parë pas denoncimit të dy personave, ndërsa vijojnë për të mësuar nëse ka persona të tjerë të mashtruar nga ish-Prefekti. Bujar Hasa ka qenë Prefekt i qarkut të Fierit në vitin 2009-2011 nga radhët e LSI, ndërsa në 2013 kandidoi për deputet për PDK.

Deklarata e plotë e policisë
Finalizohet me sukses operacioni "Kanadezi"

Arrestohet një shtetas dhe shpallet një tjetër në kërkim për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim" dhe "Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim".

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 8 mujore, ka bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit “Kanadezi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

Bujar Hasa, 57 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu në lidhje me këtë procedim, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit P.P.

Arrestimi i të sipërpërmendurit u bë pasi ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin P.P., kanë mashtruar më anë të falsifikimit të dokumentave, shtetasin Kanadez B.H., duke i marrë një shumë prej 260 000 (dyqind e gjashtëdhjetë mijë) dollarësh dhe shtetasin shqiptar D.M., duke i marrë një shumë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) Eurosh

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën "Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim" dhe "Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet 143/3 e 186/2 e Kodit Penal”.

d.b/shqiptarja.com