Ka ndërruar jetë i moshuari Amdi Hodaj, i cili u përplas në datën 20 shkurt të këtij viti nga një automjet në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Hodaj, i moshës 68-vjeçare, ishte duke lëvizur me biçikletë, në kohën që është përplasur nga automjeti me drejtuese një shtetase 26-vjeçare.

Report TV ka siguruar edhe pamjet nga momenti i aksidentit, ku automjeti ‘fluturon’ në ajër të moshuarin.

Dyshohet se në momentin e aksidentit, 68-vjeçari i ka prerë rrugën automjetit, çka ka sjellë edhe përplasjen.

Hodaj u transportua në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës, ku ndodhej në koma prej disa ditësh, por fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë sot.

Policia menjëherë pas aksidentit shoqëroi drejtuesen e automjetit, ndërkohë që vijojnë procedurat hetimore për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.