Kledian Llaho, i pezulluar nga detyra me urdhër të SPAK, largohet nga detyra e kryetarit të Prokurorisë së Sarandës. Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor. Ndërsa sa i përket pagës, KLP vendosi uljen me 20% për tre muaj.

Në njoftimin e ILD, thuhet se hetimi disiplinor ndaj prokurorit Llaho nisi bazuar në 6 ankesa të një prokuroreje në institucionin që drejtonte për mospërmbushjen e detyrave në systemin e menaxhimit të çështjeve. Nga hetimi, ILD tha se u konstatuan shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë.

Më 30 Janar të këtij viti, Kledian Llaho mori masë disiplinore “Vërejtje Publike” pasi akuzohej se me veprimet dhe mospveprimet e tij kishte zvarritur disa akte proceduriale, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat si edhe duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi dy vjeçare.

Aktualisht ai nuk ushtron detyrën as si Drejtues as si prokuror, për shkak se GJKKO e pezulloi nga detyra me akuzën e “Korrupsionit pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Llaho dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tij ka favorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrrin e tij.

Njoftimi i plotë i ILD:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., duke caktuar masën “Ulje page në masën 20% për 3 muaj”, përkundër propozimit të ILD për “Ulje page në masën 40% për 1 vit”, ndërsa ka pranuar plotësisht propozimin e ILD për masën “Largimi nga detyra e kryetarit”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin disiplinor ndaj magjistratit Ll., në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bazuar në 6 ankesa të një prokuroreje në të njëjtin institucion, për veprime e sjellje, që përbëjnë shkelje disiplinore nga ana e drejtuesit Ll.

Hetimi disiplinor i kryer nga ILD konkludoi se veprimet e mosveprimet e z. Ll. përbëjnë mos përmbushje, në cilësinë e drejtuesit, të detyrimeve të përcaktuara në ligj, në veçanti e detyrave që lidhen me sistemin e menaxhimit të çështjeve. Nga hetimi u konstatuan shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë. Shkelja disiplinore vërehet në raport, është kryer me dashje direkte dhe ekziston rreziku që ndikimi negativ i saj të shtrihet në zyrën e prokurorisë në tërësi, duke përbërë rrezik për përsëritje ngjarjesh, që ulin imazhin e zyrës së prokurorisë.

Magjistrati ka marrë masën disiplinore “Vërejtje Publike” për një shkelje të mëparshme nga ana e KLP-së, me datë 30.01.2025, për veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mos përmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale, e duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi 2 vjeçare.

Gjatë parashtrimeve para KLP-së inspektorja e ILD-së vërejti, se në kohën e depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor, prokurori K.Ll., ushtronte të njëjtën detyrë, si në kohën e kryerjes së shkeljes së pretenduar. Aktualisht ai nuk ushtron detyrën as si Drejtues as si prokuror, për shkak se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj këtij magjistrati, si i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.

Në konkludim, ILD i propozoi KLP-së caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës në masën 40% për një periudhë 1 vjeçare” ndaj magjistratit K. Ll, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1 shkronja “l”, si dhe neni 102 pika 2, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe një masë të disiplinore plotësuese “Largimi nga detyra e kryetarit”, të parashikuar nga neni nga neni 108 dhe neni 112, pika 2, shkronja “b” e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar. Kërkesa e parë u pranua pjesërisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që caktoi masën “Ulje 20% e pagës për një periudhë 3 mujore” dhe pranoi plotësisht kërkesën e ILD për masën plotësuese “Largim nga detyra e kryetarit” për magjistratin K.Ll.