TIRANE - Një 59-vjeçar i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në 12 shkurt të këtij viti, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra pas dy javësh qëndrimi në spital. Bujar Barçi i cili u plagos me plumb në kokë në rrugën “Siri Kodra”, mësohet se gjeti vdekjen para dy ditësh në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Burime të sigurta bënë të ditur se ai nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra nga arma e zjarrit. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur tek “Siri Kodra” dy javë më parë, efektivët e Komisariatit Nr.4 të kryeqytetit shpallën në kërkim policor 50-vjeçarin Halit Shahini, ish-truprojën e Luan Hajdaragës kur ky i fundit ishte ministër i Mbrojtjes.

Shahini kishte dalë nga burgu kohë më parë ku kishte vuajtur dënimin për vrasje, por ditën e vrasjes së fundit ishte konfliktuar me Barçin për një çështje borxhi të pashlyer. Pasi kishte qëlluar me armë në kokë 59-vjeçarin, Shahini ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Emri i tij nuk ka qenë i panjohur për policinë.

Më 27 maj të vitit 2005, ai u arrestua nën akuzën e vrasjes. Shahini qëlloi asokohe për vdekje Besnik Pashaj, rojen e një parkingu. Gjatë procesit gjyqësor, Shahini pati deklaruar se nuk kishte pasur si qëllim t‘a vriste Pashajn, por sherri banal për parkimin kishte degraduar në vrasje.

(ad.ti/shqiptarja.com)