KRUJË- Një i ri është marrë peng dhe është dhunuar fizikisht në Fushë-Krujë. Drilon Hoxha, 22-vjeç, ka rrëmbyer me forcë 20-vjeçarin, B.A, të cilin e ka çuar në një pyll në Krastë, ku më pas e ka goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Burime për Report Tv mësojnë se i riu e ka rrëmbyer 20-vjeçarin, sepse e ka sharë në rrjetet sociale.
Drilon Hoxha, i kishte marrë të riut edhe telefonin që i riu kishte në përdorim. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip Audi, që drejtohej nga shtetasi Drilon Hoxha, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, telefoni, që i përkiste shtetasit B. A, i cili ka bërë dhe denoncimin.
Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe Vjedhja me dhunë“.