Një 22-vjeçar është kapur në flagrancë në Dibër, teksa tentonte t’u shiste kanabis adoleshentëve. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Nazmi Rushiti” në Peshkopi, ku i riu me inicialet L.K vepronte prej ditësh ndonëse ishte në vëzhgimin e policisë.

Burime zyrtare bëjnë me dije se gjithçka erdhi pas informacioneve të mbledhura në terren nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Dyshimet e tyre konfirmuan që 22-vjeçari po shpërndante lëndë narkotike tek të rinjtë e zonës.

Në momentin e ndërhyrjes, ai u kap me doza kanabisi të ndara dhe gati për shitje. Në xhepa iu gjet edhe një shumë parash, që dyshohet se vjen nga kjo veprimtari.

22 vjeçari, banues në Peshkopi, tashmë përballet me akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Dibrës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ai vepronte i vetëm apo kishte bashkëpunëtorë. 

Njoftimi i plotë i Policisë 

"Dibër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”. Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike tek adoleshentët. Kapet në flagrancë, në tentativë për të shitur doza kanabisi, vihet në pranga 22-vjeçari. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një shumë parash. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas disa ditësh hetimesh në terren, kanë siguruar informacion për një shtetas që shiste lëndë narkotike kanabis adoleshentëve. Në vijim, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Siguria”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë në lagjen "Nazmi Rushiti", dhe arrestuan shtetasin L.K., 22 vjeç, banues në Peshkopi, në tentativë për të shitur doza kanabisi. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme"

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë