'Fake News', vijon të jetë një problem i madh për mediat si botërore ashtu edhe në Shqipëri. Kur na ndaj vetëm pak orë nga zgjedhjet lokale, një lajm i rremë u shpërnda me shpejtësi në media. Bëhet fjalë për një lajm qesharak ku si fillim u shpërnda nga media e PD, Rilindja Demokratike, ku thuhej se zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer është shkarkuar nga detyra e tij.

Si burim të këtij lajmi, RD dhe  mediat e tjera shpërndanë një foto montazh të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Por kjo ishte fare e lehtë për tu verifikuar pasi në Twitterin e Pompeo nuk kishte aspak një njoftim të tillë. E megjithatë media pranë selisë blu e shpërndau si të mirëqenë.


Në brendësi të lajmit thuhej se shkarkimi i Palmer erdhi edhe pas qëndrimeve të tij të fundit, duke u referuar edhe për intervistën e dhënë për VOA ku bënte thirrje të prerë për të mos patur dhunë gjatë zgjedhjeve lokale me 30 qershor.

Më pas 'blofi' i portalit pranë PD dhe disa mediave të tjera online është fshirë nga qarkullimi. Gjithsesi falë arkivave në serverat e Google mjafton të kërkosh me titullin që lajmi u shpërnda dhe të dalin sugjerimet që RD.al , Standart.al dhe Faxweb.al bënë për këtë lajm.