Lajmi për vdekjen e parakohshme të këngëtarit Shpat Kasapi ka prekur botën e artit shqiptar. Kolegë, miq dhe figura të njohura të ekranit kanë shprehur pikëllimin e tyre për humbjen e artistit, i cili prej vitesh ishte një emër i dashur për publikun.

Ndër reagimet më prekëse është ai i këngëtares Vesa Luma, e cila shprehu dhimbjen dhe respektin e madh për Kasapin.

“Na trishtove shumë Shpat… Ishe një nga njerëzit më të mirë e më pozitiv që kam njohur. Një djalë fisnik e plot jetë, ashtu siç ishin edhe këngët e tua që rritën një brez të tërë. Dritë pastë shpirti yt. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve.”

Edhe moderatorja Arbana Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale kujtoi bashkëpunimet me artistin në vitet e Top Fest:

“Shumë i dhimbshëm lajmi për largimin nga jeta të Shpat Kasapit, me të cilin pata fatin të punoj më shumë se 20 vite më parë dhe ta ftoj në skenë me dhjetëra herë. Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera që na ke dhuruar”, shkruan ajo.

Këngëtarja  Dafina Zeqiri, në një postim në rrjetet sociale, shprehet: “Nuk mundem me besu këtë lajm kaq të trishtë… Ti gjithmonë ke qenë i mirë me ne, gjithmonë pozitiv. Kështu do të të mbajmë mend, për energjinë tënde të mirë dhe për muzikën e gëzueshme që na dhurove. U prehte në paqe, e Zoti i japë forcë familjes”.

Ermal Fejzullahu kujton Shpat Kasapin si mikun e tij të fëmijërisë.

“Nuk po muj me besu, sot shkove ti miku im i fëmijërisë. E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me ty, të cilat do t’i ruaj tanë jetën. Na theve zemrat Shpat, pusho i qetë vëlla. Ngushëllime familjes”, thotë ai.

Reperi dhe producenti Big Basta ka bërë një dedikim prekës, duke vlerësuar mbi të gjitha karakterin e Shpatit.

“Të gjithë kolegët e dimë çfarë djali i mrekullueshëm ke qenë! Nuk i bënte nona dy si ti! I sjellshëm dhe zemër të madhe, kurrë nuk dëgjuam diçka të keqe nga ti për askënd,” shkruan ai, duke e quajtur një humbje të madhe për të gjithë.


Lajmi kryesor:

Shuhet këngëtari i njohur, Shpat Kasapi, pësoi arrest kardiak në Itali! Ish-bashkëshortja: Ndërrove jetë në krahët e mi