Paraditen e kësaj të mërkure, në Teatrin “Bylis” në Fier u zhvilluan homazhet në nder të aktorit të mirënjohur Todi Llupi, që u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 78-vjeçare.
Familjarë, kolegë, miq, artistë të njohur, si edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit aktorit të njohur të humorit, Todi Llupi.
Artisti është përcjellë për në banesën e fundit përmes nderimesh në një ceremoni në teatrin “Bylis”.
“Kësaj ndërtese të humorit që u ndërtua me shumë mundime, sot i është shkëputur një nga kolonat e fuqishme të saj. Todi Llupi ishte ndershmëri e artit dhe kulturës në teatrin Bylis. Ai punonte me ndërgjegje të jashtëzakonshme dhe çdo gjë nuk e bënte për t'u dukur, por e bënte sepse e ndjente në shpirt”, tha aktori Luftar Paja.
“Na ka mbledhur sot këtu Todi Llupi që dikur na nxirr nga kjo sallë të qeshur, të gëzuar. Sot na ka sjellë të përlotemi e të qajmë vërtetë se ne iku njeri i mrekullueshëm. iku një nga njerëzit që meriton shumë të dalë nga kjo sallë me ceremoni e me nderimin e gjithë këtyre njerëzve të cilët e deshin. Unë kam pasur te Todi një aktor nga më të mirët po se po, por ndoshta ndoshta më i mirë se se ç’kisha shpresuar të ishte”, u shpreh dramaturgu Pëllumb Kulla.
“Todi ishte një njeri shembullor, një njeri që nuk tha një llaf të keq nga goja, është një aktor që ka lënë mbresa nga ’71. Me Todin kam pasur një marrëdhënie vëlla, mik, shok, artist, shok, vëlla. Ka lënë mbresa në këtë teatër, ka lënë gjurmë të mrekullueshme si njeri dhe si artist”, tha aktori Arqile Lipe.
Me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, Todi Llupi la gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit dhe estradës së Fierit. Përmes roleve të tij plot humor, talent dhe spontanitet, ai fitoi dashurinë e publikut dhe u shndërrua në një nga figurat më të dashura të artit skenik fierak.
Komente





