Dajana Ruçaj, bashkë me vajzën 3-vjeçe, vëllanë, tezen dhe djalin e tezes kanë mbetur pa strehë. 

Bashkia e Vlorës me mbeshtetjen e Policise se Shtetit dhe asaj Bashkiake ka ndërhyrë me force për lirimin e ish- kopshtit nr 4, ku ata ishin strehuar prej 30 vitesh.

Pas tensioneve që zgjatën për rreth 1 orë, palët ranë dakord që godina të lirohet brenda 1ë jave, në mënyrë që familja Ruçaj të zhvendosë orenditë.

Dajana Ruçaj tregon për mediat se prindërit e saj, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë, janë vendosur në këtë godinë në vitin 1996. 

“Prindërit e mi janë futur këtu në tetor të vitit 1996. Në atë kohë bashkia dhe shteti i kanë strehuar këtu disa familje që kishin mbetur pa banesë. Kjo ka qenë më parë një çerdhe, ndërsa një pjesë e saj ka qenë mensë e çerdhes. Ne kemi jetuar këtu prej 30 vitesh. Këtu kam lindur dhe jam rritur. Kjo ka qenë shtëpia ime gjatë gjithë jetës" thotë ajo. 

Nder vite, kane bere aplikime në Bashkinë e Vlorës për të përfituar një banesë sociale por nuk ka marrë një zgjidhje. 

“Unë disponoj kontratat e energjisë elektrike, të cilat janë në emër të babait tim dhe janë hapur para vitit 2000. Nuk kemi marrë një certifikatë pronësie për këtë banesë" shton ajo. 

Pak muaj më parë, Bashkia u ka kërkuar të lirojnë godinën, me argumentin se është pronë shtetërore, dhe u ka ofruar bonus qiraje për një vit, me vlerë 20 mijë lekë në muaj. Dajana Ruçaj nuk e ka pranuar bonusin dhe kërkon një shtepi te re.

“Kur kemi diskutuar fillimisht për bonusin e qirasë, na thanë që aplikimet për banesat e Entit të Banesave nuk ishin hapur ende. Na thanë: ‘Merreni bonusin tani dhe, sapo të hapen aplikimet, do të merrni një shtëpi nga Enti i Banesave’. Më vonë na thanë se nuk e dinin nëse do të përfitonim apo jo një banesë. Nëse nuk e kam të shkruar dhe të garantuar që do të pajisem me një shtëpi, unë nuk largohem nga këtu. Për këtë arsye nuk e pranova bonusin" thotë Ruçaj. 

Sakaq, ajo ka bërë padi ndaj Bashkisë së Vlorës dhe se çështja është në proces gjyqësor.

“Unë kam ngritur padi ndaj bashkisë dhe sot jam në proces gjyqësor. Kam kërkuar që të mos nxirrem nga banesa pa pasur një zgjidhje për strehimin. Pres që çështja të zgjidhet në gjykatë" thotë ajo. 

Familja Ruçaj ka një javë kohë për të liruar godinën, ndërsa beteja ligjore për strehimin do te vijojë në gjykatë.