Një plumb në shpatullën e djathtë dhe një në qafë i morën jetën Gjovalin Lazrit, pjesë e grupit të hajdutëve që kishin hyrë në fermën e Roberto Mollo-s në Baldissero d'Alba.
Sot autopsia do të tregojë nëse vërtet, siç dyshohet nga hetuesit, kamionisti ka qëlluar ndaj tij ndërsa Gjovalin Lazri dhe bashkëpunëtorët e tij ishin duke u larguar. Provat mund të dalin më pas edhe nga ekspertiza balistike. Ndërkaq, është e sigurt se Mollo ka hapur zjarr nga ballkoni në katin e parë dhe nga një distancë prej të paktën 30 metrash.
Beteja ligjore
Autopsia dhe ekspertiza do të jenë baza e betejës ligjore që me siguri do të nisë për këtë çështje. Për këtë arsye, ato zhvillohen në prani të ekspertëve të palëve, të caktuar tashmë nga mbrojtja e Roberto Mollo-s. Konkretisht, mjeku ligjor Lorenzo Varetto dhe eksperti Ruggero Pettinelli.
Familjarët e viktimës, nga ana tjetër, kanë hequr dorë nga caktimi i ekspertëve të tyre.
“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. E gjithë e vërteta duhet të dalë në dritë, kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, deklaron partnerja e Gjovalin Lazrit, e cila nuk hyn në detajet e hetimit. Por një gjë dëshiron ta theksojë: “Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por unë dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqinj. Njerëz që meritojnë të vdesin apo të tjerë që bëjnë mirë që qëllojnë me armë.”
Fjalët e saj janë përcjellë përmes avokates, Roberta Sisimbro. “Kemi besimin maksimal te puna e Prokurorisë dhe te zbatimi i ligjit që pason”, shton avokatja. “Jemi në një shtet të së drejtës, ekzistojnë një Kushtetutë dhe ligje që duhen respektuar.”
Precedentët penalë
Partnerja dhe djali i Lazrit jetojnë në Torino, ku ai menaxhore një bar në periferi. Ajo punon si tatuiste. Prej disa ditësh, të dyja bizneset janë të mbyllura. Në të kaluarën e 36-vjeçarit ka disa precedentë penalë, edhe për grabitje. Në vitin 2013, ai grabitur një vilë në zonën e Astigianos, duke vjedhur para dhe sende me vlerë. “Por kohët e fundit kishte ndryshuar stil jetese”, thonë miqtë. Gjithashtu, duket se kishte vështirësi ekonomike. Prandaj nuk mund të përjashtohet mundësia që, për të siguruar shpejt disa para të shpejta, të ishte bashkuar sërish me miq të vjetër të specializuar në vjedhje dhe grabitje.
Bëhet fjalë për banda “udhëtarësh”, të njohura mirë nga karabinierët që veprojnë në atë zonë. Për këtë arsye, hetuesit besojnë se do të arrijnë t’i identifikojnë shpejt. Kjo më shumë përmes hetimeve tradicionale sesa falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat në zonën e Baldissero d’Alba janë të pakta dhe të vjetruara.
Objektivi i bandës
Por çfarë synonte banda? Sipas karabinierëve, ata ishin të interesuar për veglat dhe materialet e ndërtimit të grumbulluara në oborr, të cilat më pas do t’i rishisnin. Ka të ngjarë që hajdutët të mendonin se shtëpia e fshatit ishte e pabanuar. Ata kanë hyrë në oborrin, i cili nuk kishte rrethim, ndoshta për të bërë një vëzhgim paraprak, përpara se të hynin me një furgon ose kamion. Në rrugicën që të çon drejt fermës, në fakt, nuk ka shenja gomash.
Avokati i Roberto Mollo-s nuk mendon kështu. Sipas tij, hajdutët donin të hynin në shtëpi të armatosur me kaçavida. “Këtë e tregon fakti se ata kishin me vete elektrik dore dhe doreza”, thotë Pier Mario, “Roberto po flinte në katin e sipërm dhe pati frikë për sigurinë e tij”./Corriere











Komente
Komento