U-21/ Shqipëria barazon me Finlandën në ‘Air Albania’, kuqezinjtë të tretët në grup

U-21/ Shqipëria barazon me Finlandën në ‘Air Albania’, kuqezinjtë të tretët në grup

Kombëtarja U-21

Shqipëria U-21 luajti sot ndaj Finlandës U-21, ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë.

Në takimin e zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin ‘Air Albania’, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi barazuan me rezultatin e bardhë 0-0, në një ndeshje emocionuese dhe me shumë raste të prodhuara nga skuadra e Shpresave.

Tekniku shqiptar hodhi në fushë këtë formacion: Simon Simoni (GK), Geralb Smajli, Ajdi Dajko, Adrian Bajrami, Elmando Gjini, Paulo Buxhelaj, Medon Berisha (C), Adrion Pajaziti, Feta Fetai, Arda Kurtulan, Stiven Shpendi

Minutat e para janë shumë të balancuar me të dyja skuadrat që qarkullojnë topin, por nuk arrijnë të krijojnë raste të pastra për shënim. Geralb Smajli pati mundësinë e parë të mirë për skuadrën tonë, teksa tentoi nga e djathta të dërgonte një top në qendër, por portieri finlandez e shmangu duke e dërguar në fundore.

Pak minuta më vonë, edhe kapiteni Medon Berisha tenton golin e parë për kuqezinjtë me një goditje mjaft të bukur nga disa metra jashtë zone, por është sërish numri 1 i portës kundërshtare që shpëton Finlandën.

Kuqezinjtë prodhojnë edhe disa raste të tjera në këtë pjesë të parë, me Smajlin , i cili dhuron një top për Shpendin, me këtë të fundit që nuk ia del ta dërgojë topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-0.

Fraksioni i dytë nis me disa raste të mira për Kombëtaren shqiptare, fillimisht me Shpendin, i cili merr një top nga Kurtulan dhe me një rrotullim të shpejtë gjuan në zonë por gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës. Më vonë është Pajaziti, i cili kalon dy lojtarë nga e majta dhe gjuan drejt portës, por gabon. Është sërish Shpendi që provon duke tentuar portën, por gjen saktësinë e portierit finlandez. Medon Berisha krijon gjithashtu një rast të mirë për Shqipërinë pak minuta më vonë, duke gjuajtur me të majtën nga jashtë zone, por sërish pa fat për kuqezinjtë.

Trajneri Bushi vendos të ndërhyjë në formacion, duke hedhur në fushë Frrokun dhe Rashicën në vend të Berishës dhe Kurtulan.

Adrion Pajaziti kërkon të gjejë golin për Shqipërinë, duke kaluar dy kundërshtarë nga e majta dhe duke lëshuar një diagonale të fortë, por topi përfundon jashtë rrjete. Ndërkaq, tekniku kuqezi bën edhe dy zëvendësime në radhët e Shqipërisë, me Shpendin e Fetain që lënë fushën, duke u zëvendësuar nga Rexhepi e Janaqi.

Takimi mbyllet me rezultatin 0-0. Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës ndaj Zvicrës, më 26 mars në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 19:00. Aktualisht Shqipëria renditet në vendin e tretë me 10 pikë në grupin E.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni