Udhëheqja e Shqipërisë, 100
vjet shtet, mbi 70 qeveri

Udhëheqja e Shqipërisë, 100 <br />vjet shtet, mbi 70 qeveri
Qeveria e parë shqiptare është ajo e kryesuar nga Ismail Qemali nga 4 dhjetor 1912 - 22 janar 1914. Fillimi i vitit 1914 solli për qeverisjen e Vlorës vështirësi, kohë kur do të dilte çështja e Beqir Grebenesë, një oficer shqiptar në shërbim të perandorisë osmane, i cili organizoi një komplot, në të cilin bëri protagonist të bisedave të fshehta edhe Ismail Qemalin. Si pasojë, Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës jep dorëheqjen.

Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani krijon një qeveri, e cila nuk u njoh nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK). KNK përfaqësonte pushtetin ekzekutiv të dërguar nga Fuqitë e mëdha, i krijuar në 29 korrik 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve, me synim organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja njohu një unifikim të administratës, ku spikasnin 2 drejtorë Fejzi Alizoti, Drejtor i administratës për pjesën e ish qeverisë së Vlorës dhe Azis Pashë Vrioni, për pjesën e ish qeverisë së Esat Pashë Toptanit. KNK-ja përgatiti ardhjen e princit Wilhelm Von Wied, i cili mbërriti në Durrës, bashkë me familjen mbretërore në 7 mars 1914.

Qeveria e parë e Turhan Pashës, shënohet me 15 mars 1914 - 20 maj 1914. Pak ditë pas mbërritjes, princ Wiedi dekretoi kryeministrin e ri, Turhan Pasha dhe Shqipëria njihet si shtet nga të 6 superfuqitë.

Qeveria e dytë mbretërore e Turhan Pashës shënohet nga 28 maj 1914 deri më 3 shtator 1914. Rikonfigurimi i qeverisë erdhi pas largimit nga qeveria i numrit dy të saj, Esat Pashë Toptanit, si pasojë e konfliktit të tij me mbretërinë, përgjatë periudhës së kryengritjes në jug të Shqipërisë, zonë e kërcënuar nga pushtimi grek.
Në 3 shtator 1914 largohet princ Wiedi.

Kthimi i Esat Pashë Toptanit shënon një tjetër qeveri atë të 5 tetorit 1914 e cila zgjati deri më 27 janar 1916. Pas kësaj periudhe vjen Lufta e parë Botërore. Është koha e pushtimit të Shqipërisë, si dhe mbajtja e Traktatit të Londrës, në 26 prill 1915.

Në janar 1916, u bënë përpjekje për krijimin e një qeverie apo administrate shqiptare, pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në vend. Përgjatë 1916 - 1918 krijohet dhe funksionon administrata e përkohshme shqiptare në Shkodër, e kryesuar nga Fejzi Alizoti, drejtor i përgjithshëm i Financave.

Me përfundimin e Luftës së parë Botërore, pozitat e Italisë në Shqipëri ishin forcuar dhe asaj iu kërkua krijimi i një qeverie shqiptare, me mbështetjen e Italisë. Kështu, vjen qeveria e kryesuar nga Turhan Pasha nga 25 dhjetor 1918 deri më 29 janar 1920. Më pas vjen qeveria e Durrësit, por që nuk pati suksesin e duhur në pjesën më të madhe të vendit.

Pas saj vjen qeveria e Sulejman Delvinës nga 30 janari deri më 14 nëntor 1920, qeveri që doli pas Kongresit të Lushnjës. Qeveria e Tiranës kërkoi mosnjohjen e qeverisë së Durrësit. Në këtë qeveri u vendos për herë të parë nxjerrja e monedhës shqiptare. Pjesë e këtij kabineti ishte edhe Ahmet Zogu. Në 14 nëntor 1920 Sulejman Delvina jep dorë- heqjen, pas konflikteve të mëdha në kabinetin qeveritar. Dhe këtu shënohet formimi i qeverisë së parë të Iliaz Vrionit, 15 nëntor 1920 - 1 korrik 1924. Gjendja e vështirë e krijuar për shkak të ndërhyrjes jugosllave në 1921, bëri që qeveria e kryesuar nga Iliaz Vrioni të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte formimin e një qeverie të koalicionit, e cila zgjati nga 11 korriku deri më 16 tetor 1921.

Pas saj u krijua Qeveria e Pandeli Evangjelit, 16 tetor 1921 - 6 dhjetor 1921, pasi koalicioni nuk funksionoi dhe u formua "bashkimi i Shenjtë", si shkrirje e partive kryesore politike. Në radhë vjen Qeveria njëditore e Qazim Koculit, 6 dhjetor 1921 - 6 dhjetor 1921.

Pas dorëheqjes së Pandeli Evangjelit, një grup politikanësh si Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, etj, bindën më pas Qazim Koculin të formonte një qeveri. Koculi pranoi, me kushtin që në kabinetin e kryesuar prej tij të mos ishte prezent Hasan Prishtina. Por Koculi jep dorëheqjen e papritur brenda ditës.

Pas kësaj aventure vjen qeveria e Hasan Prishtinës, 7 - 12 dhjetor 1921, por emërimi i Prishtinës ngjalli pakënaqësi të shumta në të gjithë vendin, deputetët ikën nga Tirana, në Durrës e në qytete të tjera. Kryeministri Prishtina, që ditët e para, u dha urdhër Forcave të Armatosura të shtien në dorë "me se s'bën" deputetët. Në këto kushte, një grup deputetësh shtuan trysninë ndaj qeverisë Prishtina, duke e detyruar atë të japë dorëheqjen.

Në radhë vjen qeveria kalimtare e Idhomeno Kosturit (12 - 24 dhjetor 1921), e pas saj Qeveria e Xhafer Ypit, 24 dhjetor 1921 - 26 dhjetor 1922, qeverisja e të cilit përkon me zhvillime të reja, si dhe ndryshime të raporteve politike në vend.

Qeveritë e kohës së Zogut
Qeveria e parë e Ahmet Zogut shënohet me 2 dhjetor 1922 deri më 25 shkurt 1924.
Në fund të vitit 1922, pozitat politike të Ahmet Zogut, ishin forcuar dukshëm. Si ministër i Punëve të Brendshme, ai kishte treguar vendosmëri dhe energji në detyrën e tij. Duke patur edhe përkrahjen e grupit të pronarëve të mëdhenj, Ahmet Zogu ishte gati të merrte drejtimin e qeverisë. Por qeveria e tij pati gjithmonë marrëdhënie të acaruara me Hasan Prishtinën dhe përkrahësit e tij. Madje, në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, pati një atentat ndaj A. Zogut. Në këto kushte të acaruara, Ahmet Zogu tërhiqet nga drejtimi i qeverisë.

Qeveria iu besua Shefqet Verlacit, 30 mars 1924 - 27 maj 1924, por thellimi i krizës politike në vend dhe pamundësia për të qeverisur, e detyrojnë Verlacin të japë dorëheqjen. Pas tij vjen qeveria e kryesuar nga Ilias Vrioni, 27 maj 1924 - 10 qershor 1924. Kjo qeverisje përkon me ngjarjet e kryengritjes së Qershorit 1924. Madje dy prej udhëheqësve të kryengritjes Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, pranuan se nuk ishte thjesht një kryengritje, por një grusht shteti. Me short, u vendos që Fan Noli të zgjidhej Kryeministër. Qeveria e Nolit zgjati gjashtë muaj nga 16 qershori deri më 24 dhjetor 1924.

Kësaj qeverie i mungonte mbështetja e brendshme, për shkak të zhvillimeve të acaruara politike, por i mungonte edhe njohja ndërkombëtare, pasi shtetet e huaja nuk e quajtën kushtetuese. Në 24 dhjetor 1924 qeveria kryengritëse bie.

Sërish një qeveria disa ditëshe, ajo e Iliaz Vrionit që zgjati nga 24 dhjetori 1924 deri më 5 janar 1925. Iliaz Vrioni e mban vetëm pak ditë postin e kryeministrit dhe jep dorëheqjen në fillim të vitit 1925, si pasojë e konflikteve brenda kabinetit. Në skenë rikthehet Ahmet Zogu dhe qeveria e kryesuar prej tij, nga 6 deri në 31 janar 1925.

Në 21 janar 1925, Kuvendi Kushtetues shpall Republikën Shqiptare. Pas shpalljes së Republikës, në 31 janar 1925 Kuvendi Kushtetues zgjedh Ahmet Zogun të parin President (në atë kohë quhej Kryetari i Republikës). Kabineti i parë republikan, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 1 shkurt 1925 - 23 shtator 1925
Ndryshimi i formës së regjimit solli krijimin e një kabineti të ri qeveritar. Statusi i ri i shtetit i njihte Kryetarit të Republikës të drejtën për të formuar qeverinë.
Kabineti i dytë republikan, i kryesuar nga Ahmet Zogu shënohet nga 28 shtatori 1925 deri më 10 shkurt 1927. Ndërsa kabineti i tretë, i kryesuar nga Ahmet Zogu ishte ai i 12 shkurtit 1927 deri më 21 tetor 1927.

Kabineti i katërt i kryesuar nga Ahmet Zogu shënohet nga 24 tetor 1927 deri më 10 maj 1928. Për shkak të mosmarrëveshjeve, edhe ky kabinet me Ministër Drejtësie Petro Pogën, jep dorëheqjen. Kabineti i pestë, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 11 maj 1928 - 1 shtator 1928, ku Ministër Drejtësie ishte Hiqmet Delvina.
Zhvillimet e mëpasshme sjellin Mbretërinë shqiptare të Ahmet Zogut, 1928- 1939. Në 17 gusht 1928 zhvillohen zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pozitat e Ahmet Zogut fuqizohen. Në këtë mënyrë, ndryshon edhe forma e regjimit në vend. Asambleja Kushtetuese miraton statusin themeltar të mbretërisë shqiptare. Asambleja u kthye në Parlament dhe vendi shpallet mbretëri kushtetuese.

Qeveria e parë mbretërore e kryesuar nga Kostaq Kotta, 5 shtator 1928 - 5 mars 1930. Pas saj vjen qeveria e Pandeli Evangjelit, 6 mars 1930 - 11 prill 1931 dhe mandej qeveria e dytë e Evangjelit, 20 prill 1931 - 7 dhjetor 1932. Qeveria e fundit e Pandeli Evangjelit ishte nga 11 janari 1933 deri më 16 tetor 1935. Pas kësaj Pandeli Evangjeli, kryeministri veteran, i paraqet Mbretit Zog dorëheqjen, i shtyrë edhe nga politikat e ndërmarra nga Mbreti Zog për rigjallërimin dhe dhënin e një impulsi të ri zhvillimeve. Madje kabineti pasardhës, i kryesuar nga Mehdi Frashëri u quajt ndryshe kabineti i të rinjve.

Qeveria e fundit e Kostaq Kottës, 9 nëntor 1936 - 7 prill 1939.Mehdi Frashëri paraqet dorëheqjen si kryeministër, pas situatës së krijuar ku shumë deputetë shprehen të pakënaqur nga politika e brendshme e ndjekur prej tij. Ndërkaq, edhe zhvillimet politike ishin të acaruara dhe në Shqipëri trokiti pushtimi fashist Italian.

Qeveritë e Luftës
Disa qeveri i lënë vendin njëra-tjetrës edhe gjatë viteve 1939 deri në 1944.
Qeveria e kryesuar nga Shefqet Verlaci, 12 prill 1939 - 3 dhjetor 1941. Pas pushtimit nga Italia, në 7 prill 1939, me urdhër të Musolinit ngrihet Komiteti Administrativ i Përkohshëm, përgjatë 8-12 prill '39, një formë qeverisjeje, e kryesuar nga Xhafer Ypi. Në mbledhjen e Asamblesë, nga Xhafer Ypi, propozohet për postin e kryeministrit Shefqet Verlaci, i cili vinte për herë të dytë në qeveri, ish-vjehrri i Ahmet Zogut.

Pas saj vjen qeveria e kryesuar nga Mustafa Kruja, 3 dhjetor 1941 - 4 janar 1943.
Qeveria e kryesuar nga Ekrem Libohova zgjati nga 18 janari deri më 11 shkurt 1943. Kjo qeveri erdhi pasi qeveria "Kruja" nuk arriti të sillte ndryshimet e premtuara. Kruja jep dorëheqjen, pasi autoritetet italiane nuk pranuan disa nga politikat e tij.

Në radhë vjen qeveria e kryesuar nga Maliq Bushati, 12 shkurt 1943 - 28 prill 1943, e cila pati jetë të shkurtër për shkak të konflikteve të kryeministrit në kabinetin e tij.
Libohova vjen sërish në krye të qeverisë. Në 8 shtator kapitullon Italia fashiste. Kryeministri Libohova drejton ato ditë mbledhjen e fundit të qeverisë dhe më pas largohet në Itali. Qeveria e tij zgjati nga 11 maj 1943 - 10 shtator 1943.

Pas saj vjen qeveria e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, 5 nëntor 43 - 16 qershor 44, e cila doli pasa zgjedhjeve të 1 tetorit 1943.
Këto zhvillime përkojnë me krijimin e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar 28 maj 44 - 11 janar 1946, të kryesuar nga Enver Hoxha.
Ndërkohë shënohen qeveria e kryesuar nga Fiqri Dine, 18 korrik - 28 gusht 1944 dhe qeveria e kryesuar nga Ibrahim Bicakciu, 6 shtator - 25 tetor 1944.

Qeveritë e kohës së komunizmit
23 tetor 1944 - 21 mars 1946. Komiteti i formuar në Përmet u shndërrua në "Qeveri demokratike", të kryesuar nga diktatori E. Hoxha.
18 mars 1946 Kuvendi Popullor riemëron Hoxhën si kryeministër, pas kërkesës së këtij të fundit për dorëheqje, për shkak të zhvillimeve të reja politike, dorëheqje që nuk u pranua.

Qeveria e parë e PPSH-së 22 mars 1946 - 1 tetor 1948.
Pas kësaj kriza e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, solli pasoja dhe në Shqipëri dhe në kabinetin qeveritar të saj, i cili pësoi ndryshime disa herë, por gjithnjë të kryesuar nga diktatori Enver Hoxha, respektivisht në këto vite:
2 tetor 1948 - 21 nëntor 1948
23 nëntor 1948 - 16 nëntor 1949
17 nëntor 1949 - 4 korrik 1950
5 korrik 1950 - 5 shtator 1951
6 shtator 1951 - 9 prill 1952
10 prill 1952 - 31 korrik 1953
1 gusht 1953 - 19 korrik 1954

Mandati i parë qeveritar i Mehmet Shehut, krahut të djathtë të diktatorit Enver Hoxha, shënohet nga 1954 deri më 1958.
Mandati i dytë qeveritar i Mehmet Shehut ishte nga 22 qershor 1958 deri më 16 korrik 1962. Mandati i tretë qeveritar i Mehmet Shehut shënohet nga 1962- 1966.
Mandati i katërt qeveritar i Mehmet Shehut ishte nga 14 shtator 1966- 18 nëntor 1970. Mandati i pestë qeveritar i Mehmet Shehut, 19 nëntor 1970 - 28 tetor 1974. Mandati i gjashtë qeveritar i Mehmet Shehut, 1974 - 1978.

Mandati i shtatë dhe i fundit qeveritar i Mehmet Shehu, krahut të djathtë të diktatorit u shënua nga 27 dhjetori 1978 deri më 18 dhjetor 1981. Këtë mandat Shehu nuk mundi ta çojë deri në fund, për shkak të vetëvrasjes së tij të mistershme.
Pas kësaj vjen mandati i parë qeveritar i Adil Çarçanit, 15 janar 1982 - 23 nëntor 1982. Mandati i dytë qeveritar i Adil Çarçanit, u shënua nga 23 nëntor 1982 - 19 shkurt 1987.
Ndërsa mandati i tretë qeveritar i tij zgjati nga 20 shkurt 1987 deri më 21 shkurt 1991.
Pas tij në Shqipërinë ku kishin mbërritur ndryshimet pluraliste shënohet edhe qeveria e re e kryesuar nga Fatos Nano, 22 shkurt 1991 e cila zgjati deri më 10 maj 1991.

Qeveritë e krijuara, pas rënies së komunizmit
Qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 11 maj - 4 qershor 1991, i cili u rizgjodh sërish për të drejtuar kabinetin qeveritar, pas zgjedhjeve të 31 marsit për Kuvendin Popullor
Pas kësja vjen qeveria e stabilitetit e kryesuar nga Ylli Bufi, 11 qershor 1991 deri më 6 dhjetor 1991. Pas saj vjen qeveria teknike e Vilson Ahmetit, 18 dhjetor 1991 - 13 prill 1992.
Mandati i parë qeveritar i z. Aleksandër Meksit shënohet nga 1992 deri më 1996. Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të reja të 22 marsit 1992 dhe ardhjes në pushtet të forcave të djathta.

Mandati i dytë qeveritar i zotit Aleksandër Meksi u shënua nga 11 korrik 1996 deri më 1 mars 1997.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e kryesuar nga z. Bashkim Fino shënohet nga 11 mars 1997- 24 korrik 1997, menjëherë pas ngjarjeve të 1997.
Qeveria e kryesuar nga z. Fatos Nano 25 korrik 1997 - 23 prill 1998 e cila vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 qershorit '97.
Në radhë vjen qeveria e kryesuar nga Pandeli Majko, 2 tetor 1998 - 25 tetor 1999.

Pas saj i lihet vendi qeverisë së kryesuar nga Ilir Meta, 28 nëntor 1999 deri më 6 shtator 2001. Kjo pasohet nga mandati i ri qeveritar i Metës, 6 shtator 2001 - 29 janar 2002. Majko rikthehet në qeveri dhe udhëheq nga 22 shkurt 2002 - 25 korrik 2002.
Vendin e saj e zë më vonë qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 29 korrik 2002- 29 dhjetor 2003.

Dhjetor 2003 - 1 shtator 2005 Nano riformulon qeverinë e cila në 2005, rikthehet në dorën e Sali Berisha. Berisha udhëheq që nga kjo datë e deri më sot, qeverinë shqiptare.
Shkrimi u publikua ne suplementin Rilindasi te Shqiptarja.com
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë