Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj Ebu Katede Albanit, shqiptarit me origjinë nga Shkupi, i njohur si drejtues i grupit xhihadist "Xhemati Alban" në Siri. Vendimi është bërë publik nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), në kuadër të ndryshimeve të politikës amerikane ndaj Sirisë.

Më 24 gusht, SHBA hoqi Sirinë nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin, një vendim që ishte paralajmëruar më herët këtë vit. Në të njëjtën paketë u revokuan edhe një sërë sanksionesh dhe përcaktimesh të lidhura me konfliktin sirian, përfshirë ato ndaj Hay'at Tahrir al-Sham (HTS), grupi i njohur më parë si Fronti al-Nusra.

Në dokumentet e OFAC, Ebu Katede Albani identifikohet me emrin Abdul Jashari, i lindur më 25 shtator 1976 në Shkup. Ai ishte futur në listën amerikane të sanksioneve në vitin 2016 për lidhjet me Frontin al-Nusra.

Gjatë më shumë se një dekade, Abdul Jashari është identifikuar si drejtues i grupit "Xhemati Alban", një formacion i përbërë kryesisht nga luftëtarë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që morën pjesë në luftimet në Siri. Grupi u bë i njohur edhe pas publikimit të videove propagandistike nga fronti i luftës, ndërsa raporte të ndryshme e kanë lidhur atë me Hay'at Tahrir al-Sham (HTS).

Në vitin 2019, "Xhemati Alban" ishte mes grupeve që shprehën publikisht mbështetje për HTS. Sipas raporteve të mediave dhe faqeve të specializuara për çështjet ushtarake, Jashari konsiderohej një figurë me ndikim brenda strukturave të grupit.

Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, Abdul Jashari u shfaq në strukturat e reja siriane. Në një postim në rrjetet sociale ai njoftoi se kishte marrë gradën ushtarake kolonel, duke e cilësuar atë një nder dhe një përgjegjësi të madhe. Mediat në rajon raportuan se ai ishte ndër të paktët luftëtarë të huaj që morën një gradë të tillë.

Një vit më parë ai shfaqej edhe në intervista për mediat në Kosovë, ku deklaronte se po përpiqet të bindë autoritetet e Damaskut të njohin pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, ai kritikonte autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë, duke pretenduar se nuk kanë bërë sa duhet për shqiptarët që ndodhen ende në Siri.

“Fatkeqësisht, Shqipëria dhe Kosova nxitojnë të ndihmojnë dhe të strehojnë afganë dhe iranianë që i quan tradhtarë të shtetit dhe popullit të tyre, duke u dhënë edhe shtetësi, ndërsa lënë pas gjakun e tyre, shqiptarët pa shtetësi që u larguan nga masakrat serbe. Në fund, po këto autoritete dhe parti na japin leksione neve shqiptarëve për zgjuarsi dhe patriotizëm”, pat thënë Jashari një vit më parë.

Heqja e emrit të tij nga lista amerikane e sanksioneve vjen si pjesë e ndryshimeve më të gjera të politikës së Uashingtonit ndaj Sirisë. Statusi i Sirisë si shtet që mbështeste terrorizmin sillte kufizime për ndihmën e jashtme amerikane, eksportet e pajisjeve të mbrojtjes dhe një sërë transaksionesh financiare. Me vendimin e ri, SHBA ka hequr ose ndryshuar edhe një pjesë të masave që lidhen me individë dhe organizata të përfshira në konfliktin sirian.